Në një vit në detyrë, Lulzim Basha 110 ditë jashtë shtetit
Lulzim Basha, që prej marrjes së detyrës së kryebashkiakut, është shfaqur gjithmonë e më pak në publik. Dhe, duket se e ka një arsye, pasi sipas deputetit socialist Erion Braçe, në një vit në detyrë, plot 110 ditë ai i ka kaluar jashtë shtetit.
Braçe ka hedhur një sërë akuzash në drejtim të Bashës, por mbi të gjitha është i revoltuar me mefshtësinë e opozitës, e cila nuk është duke reaguar përballë veprimeve skandaloze të këtij të fundit. Basha së bashku me familjen e tij, vjehrrin e vjehrrën, por edhe me kunatin, u nis sërish sot jashtë vendit.
Në Tiranë ka vdekur reagimi-veprimi opozitar!
Nuk ka veprim nga “Opozita”; ka një përpjekje stërmunduese nga “Shoqëria Civile”;
ka ndonjë lajm sporadik në “Media”!!!
Unë e njoh pafuqinë e “Shoqërisë Civile”! Njoh gjithashtu edhe kapjen e “Medias së Pavarur”!
Por, nuk kuptoj e nuk di të shpjegoj mungesën e veprimit nga opozita.
Në Tiranë po ndodhin abuzime marramendëse.
Tirana po stërbetonizohet.
Nuk po ndërtohen shtëpi pa leje, por pallate nga 11, 12, 13 kate pa leje.
Mu në Komunën e Parisit, tamam me pamje nga Kopshti Botanik, një nga miqtë e Lulzim Bashës ka hapur gropën e katërt në këtë qytet, për të ndërtuar pa leje 11 kate!!! Pa leje!
Lulzim Basha e lejon. Po opozita çfarë bën? Pse nuk mbron qytetin, interesin publik? Përse nuk mbron qytetarët?
Një kolegu im deputet shkruante sot se kish parë Lulzim Bashën, familjen e tij të ngushtë, por edhe të tjerë, në seksionin VIP në aeroportin Nënë Tereza, prej nga po largohej jashtë “me kuç e me maç”!
E dini sa ditë të këtij viti pune Lulzim Basha ka qenë jashtë shtetit? Më shumë se 110 ditë.
Po opozita në Tiranë me çfarë merret kur nuk merret me qeverisjen që ka marrë peng dhe po e kthen qytetin në biznes privat?, shprehet Braçe.
