INUK, Dules: Vendimet për prishjet, nga vendorët

Inspektoriati Ndërtimor ka reaguar menjëherë pas deklaratave të kreut të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, i cili akuzoi INUK për prishje të objekteve në mënyrë selective në zonën e Himarës. Në një deklaratë për shtyp INUK thekson se të gjitha vendimet për prishjen e ndërtimeve pa leje merren nga vendorët dhe se aksioni nuk është i përqëndruar vetëm në Himarë por në të gjithë bregdetin nga veriu në jug.
“Të gjitha vendimet për prishjen e ndërtimeve pa leje merren nga vendorët. Bashkia Himarë na ka bërë kërkesë për mbështetje për ekzekutimin e vendimeve te marra për prishjen e ndërtimeve pa leje. Ky nuk është aksion i përqëndruar vetëm në Himarë, por në të gjithë bregdetin nga veriu në jug. Ditë më parë u ndërmorën aksione për prishjen e ndërtimeve pa leje në Velipojë, Ksamil dhe Sarandë me kërkesë të pushtetit vendor dhe aksioni do vijojë në të gjithë bregun edhe në ditët në vazhdim” thuhet në deklaratë.
Inspektoriati Ndërtimor ka nisur prej pak ditësh prishjen e të gjitha objekteve pa leje në bregdetin e Himarës, ndërsa gjithsesi ka hasur në rezistencën e banorëve të cilët në raste të veçanta janë konfrontuar me punonjësit e shtetit.