Kthimi i gjyqtarëve, Haxhinasto: Kemi komunikuar me Greqinë

Nga Brukseli, ku ndodhet për të marrë pjesë në Ministerialin e NATO-s, ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto ka deklaruar se është komunikuar në mënyrë diplomatike më Greqinë, lidhur me skandalin e kthimit në kufi të gjyqtarëve e prokurorëve që dënuan kreun e OMONIA-s, Naum Disho. Sipas Haxhinastos, me njohjen e problemit kanë filluar menjëherë veprimet respektive.
“Nuk e kuptoj këtë padurim që kanë disa organe të medias apo edhe disa politikanë. Ministria e Punëve të Jashtme ka mënyrat, procedurat diplomatike me të cilat ajo komunikon me Greqinë apo me çdo vend tjetër kur ka çështje të një natyre të tillë. Do të thoja dhe do të garantoja gjithkënd se, Ministria e Punëve të Jashtme, me marrjen e këtij informacioni dhe njohjen e problemit, ka filluar veprimet e saj respektive të cilat, do t`ja lemë kohës dhe do të shohim se sa efikase do të jenë” tha ai.
Dy ditë më parë kontrollorëve në doganat greke iu është dorëzuar një listë me emrat e gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë dënuar kreun e OMONIA-s, Naum Disho. Ata nuk lejohet të kalojnë kufirin me argumentin se përbëjnë rrezik për rendin kushtetues të Greqisë.
Të parët që janë përballur me këtë dënim për shkak të detyrës kanë qenë gjyqtarët, mes tyre vetë kryetarja e Gjykatës së Apelit të Korçës, Entela Prifti, gjyqtarja tjetër e Apelit, Brunilda Malo, si dhe përfaqësuesja e trupit gjykues në Shkallën e Parë të Korçës, Afërdita Maho.