Pyetësori i BE, Meta: Dialog me PS
ADI SHKEMBIPër të dytën herë brenda 24 orëve kryetari i LSI-së, Ilir Meta bën apel për dialog mes maxhorancës dhe opozitës. Duke iu referuar pikërisht pyetësorit të ardhur pak ditë më parë nga Komisioni Evropian, kreu i diplomacisë shqiptare thotë se ky moment duhet të shërbejë për përfshirjen e të gjithë faktorëve. “Prandaj edhe një herë tjetër gjej rastin që të ftoj lidershipin e Partisë Socialiste dhe forcat e tjera politike opozitare që të përfshihen në këtë proces në mënyrë konstruktive, sepse unë besoj se kanë dhe mundësitë, aftësitë edhe kapacitetet për të kontribuar, për të qenë një vlerë e shtuar dhe e domosdoshme e gjithë këtij procesi”, u shpreh Meta. Sipas zv.kryeministrit “Vullneti ka qenë dhe është gjithnjë pozitiv, ofertat kanë qenë konkrete dhe mbeten të tilla, përderisa çështjet që shtrohen kanë qenë dhe janë konkrete. Kështu që në këtë drejtim, jo vetëm që maxhoranca do të jenë gjithnjë të hapur për dialog dhe bashkëpunim me opozitën, por pa asnjë diskutim me gjithë grupet e tjera të interesit në vend, sepse dialogu është një proces shumë më i gjerë sesa thjesht dhe vetëm Parlamentit”. Në të njëjtën kohë kreu i LSI-së, iu përgjigj dje edhe rezolutës së miratuar pak ditë më parë në mbledhjen e asamblesë së Partisë Socialiste për daljen, sipas saj, nga kriza që ka përfshirë vendin. Ai i quajti spekulime populiste propozimet për uljen e taksave për një periudhë kohe të caktuar. “Në qoftë se si zgjidhje për të dalë nga një situatë ekonomike propozohet, që të hiqen taksat atëherë nuk e di sesi do të paguhen punonjësit e policisë, mësuesit, infermierët, mjekët, etj. Nuk është koha për spekulime populiste, nuk është koha për t’u përpjekur për të krijuar një klimë negative për biznesin. Në rast se dikush mendon se mund të fitojë politikisht përmes spekulimeve të tilla e ka shumë gabim”, theksoi Meta. Në të njëjtën kohë ai u shpreh se do të zhvillohet një dialog akoma më i hapur me biznesin dhe përfaqësuesit e institucioneve rregullatorë, me qëllim përmirësimin e klimës së biznesit. “çdo spekulim i tillë mendoj që është jo vetëm jo konstruktiv, por edhe i dëmshëm për vet opozitën, sepse e paraqet si një opozitë pa asnjë vizion”, theksoi më tej kreu i LSI-së.