E Shtunë, 31 Tetor 2026

IRANI DHE PERENDIMI, PIKEPYETJET MES DY VENDEVE

Kur ende ishte gjeneral i thjeshtë i revolucionit francez dhe u kthye nga fushata e Egjiptit, i mrekulluar nga diversiteti i orientit, trashëgimia e shumëllojshme katërmijëvjeçare, misticizmi, fatalizmi e masiviteti pasionant në ndryshime, Napoleoni pati thënë se "revolucionet e vërteta ndodhin vetëm në Lindje". Sot, pas më se dy shekujsh nga kjo thënie, gazetat dhe agjencitë qeveritare ndjekin me vëmendje zhvillimet e fundit në Republikën Islamike të Iranit, nëse kryqëzimi i fundit i shpatave midis pretendentëve të fitoreve në zgjedhje, do përfundojë në një banjë gjaku, apo e gjitha do rezultojë një mizanskenë e llojit të ri, në jetën tridhjetëvjeçare të regjimit!

Me një rekuizitë që të kujton miniaturat e pikturave të sulltanëve osmanë, përballë një turme oqeanike studentësh të Universitetit të Teheranit, lideri suprem, Ali Khamenei, pasardhësi dhe bashkëpunëtori i afërt i zhurmëmadhit Khomeini, deklaroi se "zgjedhjet ishin të ndershme" dhe se "disa parregullsi nuk kanë pasur ndikim për të ndryshuar krahun e fitores". Lideri suprem u rreshtua në krah të Ahmadinexhadit dhe, për më tepër, premtoi se nuk do nguronte të përdorte forcën për të ruajtur stabilitetin e vendit, në rast se protestat do vazhdonin.

Si hap të parë për të treguar se është i vendosur në zgjedhjen e tij, ndërmori ndjekjen penale me akuzat për korrupsion ndaj ish-presidentit në periudhën ‘89-‘97, Ali Akbar Rafsanxhanit, udhëheqësit të vërtetë shpirtëror të reformistëve, por njëkohësisht i akuzuar si një ndër njerëzit më të pasur e të korruptuar të Iranit, me monopolin mbi tregtinë e fistikëve iranianë, e tentakula në shumë aktivitete, i klasifikuar nga revista amerikane "Forbes" si njeriu më i pasur në vend.

Ndërsa në rreshtin e parë gjatë këtij tubimi, vërehej fytyra e kënaqur e Ahmadinexhadit, Mousavi si reagim ndaj deklaratës dhe rreshtimit të liderit suprem, premtoi se është gati të shkojë drejt martirizimit. Por larg retorikës emocionale, Mousavi nuk ka kauzë ose projekt të tijin për të ardhmen; ideologjikisht është i njehsuar me pushtetmbajtësit e nuk kërkon veçse tualet të regjimit, dhe për më tepër, nuk dihet se sa do ta qajnë në rast se merr një hap të tillë.

Që një regjim të jetë në prag të thyerjes, humbjes së legjitimitetit dhe lëshimit të timonit të drejtimit, duhet të ketë më shumë se një falsifikim zgjedhjesh në zullumet e tij. Por, kasta drejtuese iraniane, ende sot vazhdon të ketë legjitimitetin e saj, bazuar së pari në faktin se është e llojit ‘sui generis‘ në shoqërinë moderne. Në diferencë nga shoqëritë e tjera islame, që qeverisen në bazë të sharias (ligji islamik), ajo iraniane ka bërë përpjekjet ta përshtasë islamin me shoqërinë moderne dhe zhvillimin. Dështimi ose jo i këtij eksperimenti, kërkon kohën e vet të vërtetohet, por një brez njerëzor është ende pak për të bindur një ideologji të fortë të tërhiqet nga sundimi. A do degjenerojë në një regjim të tipit taleban, apo ajatollahët do bashkohen në një parti të tipit demokristian-perëndimor, brenda një sistemi pluralist, vështirë të thuhet për një rast si ky, i cili nuk ka precedentë në histori.

Shoqëria iraniane, pavarësisht se çalon në krahasimin me modelin europianoperëndimor, nuk mund të ketë zili as afganët dhe as irakianët në kufi, për modelin që kanë////// adoptuar. Vërtet secili prej tyre, teorikisht është promodern; por realisht asnjëri prej tyre nuk është funksional dhe mbahet në këmbë nga prania amerikane, e do duan kohë që të jenë autosuficentë. Ndërsa diktaturat nominale të Pakistanit, Turkmenistanit e Azerbajxhanit nuk frymëzojnë askënd.

Faktori gjeopolitik nuk është një nxitës, që u vendos iranianëve një shoqëri kompetitive dhe model krahasimi, të denjë për t‘u arritur. Në planin fetar, Irani është i vetmi vend me shumicë shiite ku ata janë në pushtet, por njëkohësisht i hapur ndaj sekteve dhe besimeve të tjera. Në këtë vend janë 89% shiitë, 9% sunitë dhe po ashtu hebrenj, kristianë, zoroastrianë e bahai, të cilët kanë lirinë e ushtrimit të besimit. Faktori fetar ka ndihmuar në ruajtjen e koherencës së një vendi të përbërë nga një konglomerat etnish me 51% persë, 24% azerë, 8% gilanë e mazandaranë, 7% kurdë, 3% arabë, 2% lurë, 2% balochë, 2% turkmenë etj.; diversitet i reflektuar edhe në klasën drejtuese, ku vetë Khamenei është azer. Dhe në një popull krenar për të shkuarën e tij, faktori fetar është edhe një faktor kohezioni nacional, përveç atij shoqëror, i cili mund të goditet nga zhvillimi ekonomik. Ndaj do duhet kohë dhe zhvillim kulturor që masa e popullatës të arrijë në pikën e maturimit, ku mund të zhvillojë demokracinë e stilit perëndimor të vendit, duke shmangur faktorin teologjik nga drejtimi, por duke ruajtur kohezionin territorial, fetar dhe kombëtar.

Në këndvështrimin ekonomik, Irani është një shoqëri që ngjan më shumë me ish-socializmin lindor, sesa shoqërive sociale të perëndimit europian. Të prirë drejt veprave të prekshme e të bujshme, ku iniciatori dhe realizuesi është shteti, klasa aktuale drejtuese ka arritur të ngrejë alfabetizimin e vendit dhe atë të gruas në veçanti; të krijojë një rrjet spitalor, sidomos në zonat e varfra dhe të bëjë ujin të prekshëm për shumicën e popullatës. Ka rreth 28 shoqëri sigurimi, që mbulojnë që nga paaftësia në punë e deri te pensionet. Por në planin makroekonomik, industritë kryesore që përcaktojnë zhvillimin e një vendi janë pronë shtetërore. Futja nga Ahmadinexhadi në tetor 2008 i TVSH-së (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar), si një mekanizëm bazë fillestar i ekonomisë së tregut, shkaktoi protesta masive. Nafta dhe nënproduktet e saj, si pjesë e pasurisë kombëtare, shpërndahen me tollona me çmime politike, por të cilët në vetvete janë kthyer në një burim korrupsioni dhe pasurimi të paligjshëm; megjithatë askush nuk është i gatshëm që t‘ia nënshtrojë karburantet mekanizmit të tregut. Të gjithë këta faktorë janë shenja se kjo shoqëri është ende e papjekur për të bërë zgjedhjen e saj drejt ekonomisë së lirë, duke hequr dorë nga asistencializmi shtetëror i matricës islame që ofrohet aktualisht.

Këta faktorë dhe shumë të tjerë, që bëhen të rëndësishëm në varësi të koniunkturës botërore, thonë se ende Irani do ketë për shumë vite, një qeverisje të ngjyrës islame. Kontestimi europianoperëndimor pak dëgjohet në Teheran, e ajatollahët e dinë që kontinenti i vjetër nuk ka mundësinë t‘u hyjë telasheve të provave të forcës.

Nëse një ditë të bukur Irani zgjohet pa islamikët në pushtet, çfarë vjen më pas? A ka një forcë ose organizatë të gatshme që të marrë drejtimin efektiv të këtij vendi të madh e influent në rajon, apo do biem nga shiu në breshër, duke ia dhuruar ndonjë ekstremisti lunatik, këtë vend që s‘ka të krahasuar me të gjitha vendet të marra së bashku të rajonit, për sa u takon kapaciteteve njerëzore, ekonomike e ushtarake? Kjo është një pyetje që strategëve të Pentagonit u prish gjumin, e në mungesë të përgjigjes ndryshe të kënaqshme, preferojnë për momentin të shohin sesi janë të salduar në pushtet edhe për shumë vjet të tjera ajatollahët, se sa t‘i//////// troshisin themelet regjimit. Vërtet janë një kundërshtar i vështirë, por të paktën, ashtu si në rastin e revolucionit rus një shekull më parë, u ka rënë dëshira për ekspansion dhe janë më të prirur drejt konservimit të pushtetit.

Ndoshta kjo nuk është ajo që presin demonstruesit e shesheve nga Perëndimi, e ndoshta s‘është më e drejta për ndërgjegjen volteriane të intelektualëve, por është më e matura dhe më racionalja që afron realiteti dhe mundësitë aktuale. Rasti i Irakut se, një demokraci duhet të jetë një nevojë e brendshme e shoqërisë, që nuk mund të imponohet, por vetëm të inkurajohet nga jashtë, është një mësim që Perëndimi e mori, duke e paguar me shumë jetë njerëzore dhe nuk ka vullnetin ta përsërisë në Iran.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›