E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kundërshtimi më i madh

Përcaktimi i datës për mbajtjen e zgjedhjeve lokale ka zgjuar reagime të shumta, e në mesin e zhurmaxhinjve më të mëdhenj ishin opozita, e cila ndonëse deri diku me arsye (të paktën për motin e papërshtatshëm që presim të jetë i ngjashëm më atë të 17 nëntorit 2007), e deri diku për të luajtur rolin e opozitarit, që zakonisht është kundërshtues, për të mos qenë në linjë me vendimet e kundërshtarëve politikë.

Në prag të zgjedhjeve, fushatat fillojnë edhe më herët. Kështu kishte filluar edhe me të tjerët që dikur ishin në opozitë, e që, kishin formuar një bosht opozitar. Ndërsa "të tjerët" e tanishëm, këtë e filluan me vonesë, për shkak të dështimit të krijimit të një boshti politik. Përderisa të parët "qeverinë nën hije" e kishin formuar si të vetëm, për shkak të pranisë së kushteve, të dytët, duke mos pasur komoditetin, nuk arritën të formonin një "qeveri" (jovendimmarrëse, por si alternativë morale e paralele me atë legjitimuese), nga mungesa e unifikimit brenda grupeve të ndryshme.

Praktikat e partive opozitare në vende të ndryshme të botës, por edhe në Kosovë, sidomos kur veprojnë, si "qeveri nën hije", kanë dhënë rezultate sidomos për ato parti që i kanë praktikuar, duke ua mundësuar edhe ardhjen në pushtet. Ngjashëm kishte vepruar edhe PDK-ja, përmes KQM-së, duke e shndërruar veten në një pasqyruese të një realiteti tjetër, për dallim nga ai që propagandohej nga të tjerët. Ky model britanik i "qeverisjes nën hije", paraqet qeveri opozitare, e cila funksionon si kundërqeveri e ekzekutivit zyrtar, e cila, pra logjikisht, formohet nga partitë opozitare, si alternativë ekzekutive dhe si formë e luftës politike që bën opozita për të ardhur në pushtet.

Kjo qeveri fiktive përbëhet nga resorë të ngjashëm me atë të qeverisë zyrtare, duke ofruar zgjidhje që qëndrojnë pezull, të pa vëna në zbatim dhe që tregojnë dobësinë e vendimeve të marra. Çështjet e ngritura në debatet e fundit e kanë rikthyer deri diku gjendjen që ka ekzistuar kohë më parë këtu, dhe ka ngritur shqetësime që duhen qartësuar, e jo të mbeten në nivelin e një demagogjie politike.

Një nga çështjet e tjera të ngritura është edhe, se a do të marrin pjesë në këto zgjedhje serbët e Kosovës?! Duhet thënë se, qysh në fillim është krijuar baza e dyshimit. Është vënë në pikëpyetje pjesëmarrja e tyre, pasi serbëve të Kosovës u është dhënë si mundësi edhe një ditë tjetër për të votuar, nëse këtë nuk do të mund ta bënin në ditën e caktuar. Kjo (ndoshta pavetëdijshëm) na ka larguar nga një dyshim tjetër. Pra, çështja e gjithë kësaj çështjeje është se, a do të jenë shqiptarët ata që do të jenë të gatshëm të dalin në zgjedhje?! Sepse, tanimë nuk mund të dyshohet vetëm për mospjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje, por edhe të shqiptarëve, të cilët duket se, nga një konstruksion i fjalëve të politikanëve, kanë filluar që, përmes bojkotit të ndëshkojnë politikat.

Dikush do të thoshte se, vota do të duhej të ishte ajo që do të ndëshkonte politikat e një qeverie (në këtë rast lokale) duke e larguar nga pushteti. E, në këtë mënyrë të sillte në pushtet njerëz të tjerë. E saktë! Por, duke qenë se ka munguar ndryshimi i gjendjeve edhe pasi është votuar (e ndërruar), mospjesëmarrja në votim është kundërshtimi më i madh që mund të ndodhë.

Kultura politike në Kosovë, e qytetarit, nga një i ndikuar shumë lehtë, madje deri në absurditet duke mos lejuar ndryshimin e gjendjes, ka filluar të ndryshojë qysh në zgjedhjet e kaluara. Prapëseprapë, kundërshtimi më i madh në zgjedhjet e kaluara ishte i shprehur në dy forma. E para, ndëshkimi përmes votës për ata që nuk punuan për rritjen e mirëqenies. Dhe, e dyta, përmes mospjesëmarrjes (që ishte relevante), ngaqë nuk prisnin ndonjë ndryshim.

Në fakt, në krahasim me të tjerët, ndryshimi ka ndodhur. Mospjesëmarrja në zgjedhje nuk ka të bëjë me luksin e tepruar dhe në këtë mënyrë shfaqin përtesën, madje edhe injorimin e gjithë kësaj, sikurse mund ta kenë të tjerët, në vende tjera. Domethënia kryesore e gjithë kësaj është se, këtu mund të ndryshohet dhe ndëshkohet.

Lawrence Mayer, kulturën politike e ka radhitur si një nga faktorët kryesorë që ndikojnë në formimin e identitetit politik të vendeve. Sipas kësaj teorie, qëndrimet politike mund të jenë: autoritariste, barazitare dhe respektuese. Qëndrimi autoritarist, nënkupton besimin e verbër të qytetarëve për pushtetmbajtësit, duke i konsideruar si të pagabueshëm dhe duke mos kërkuar llogari nga ata që i kanë zgjedhur. Qëndrimi barazitar konsiston në faktin që, qytetarët janë të bindur se çdonjëri nga pjesëtarët e tyre mund dhe është në gjendje të qeverisë vendin. Dhe, qëndrimi respektues konsiston në një përzierje midis dy qëndrimeve të përmendura.

Duke filluar nga nëntori i vitit 2007 është "thyer" tradicionalizmi i të votuarit, që nuk ndryshonte asgjë. Në fakt, ishte i theksuar qëndrimi autoritarist dhe besimi i verbër për liderë të palëkundur, që janë krijuar vetëm për të mbrojtur interesat e "gjithkujt" e jo të vetat.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›