Giusy Ferreri, "Reamon" dhe Gabriella Cilmi në Tiranë
Për herë të parë, një festival ndryshe mbërrin sot në Tiranë. Një festë e vërtetë roku do të sjellë në kryeqytet tre emra të suksesshëm të muzikës botërore. Këtij edicioni të parë të festivalit "Rock Over Tirana" do t‘i bashkëngjiten grupi i njohur gjerman "Reamon", kantautorja italo-australiane Gabriella Cilmi, si edhe ylli i ri italian i muzikës pop, Giusy Ferreri. "Reamon" është një nga grupet më të mira në Gjermani dhe më të shitura në Europë. Ata shënuan një sukses që me albumin e tyre të parë, ndërkohë që këngët e tyre kanë pasur mjaft jehonë. Ndër më të njohurat janë: "Josefine", "Supergirls don‘t cry", "My Star" apo "Tonight". Ndërsa kantautorja italo-australiane Gabriella Cilmi u bë e njohur për admiruesit e muzikës me këngën "Sweet About Me", realizuar në muajin prill të vitit 2008 në Australi. Ajo fitoi gjashtë çmime "Aria", si edhe çmimin artistja më e mirë femër e vitit. Nuk mbetet pas as artistja italiane Giusy Ferreri. Këngët e saj "Non ti scordar mai di me" dhe "Novembre", të cilat pushtuan transmetimet në radio dhe klasifikimet italiane për 15 javë rresht, janë tepër të njohura edhe për publikun shqiptar. Kënga "Novembre" është kënga që prezantoi albumin e saj të parë të titulluar "Gaetana". "Rock Over Tirana" do të mbahet në stadiumin "Qemal Stafa". Mbrëmjen e djeshme performuan grupet shqiptare "Permit of Stay", "Linda në botën e çudirave", "Oogenti" etj.