Përzgjidhen fituesit e AIITC-së
Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam shpalli dje paradite fituesit e çmimeve "AIITC 2008". Në këtë konkurs, i cili zhvillohet për të tretin vit radhazi, u vlerësuan me çmime artistë të cilët gjatë vitit që shkoi botuan libra në fushën e shkencës dhe kulturës islame, si dhe krijuan peizazhe. Gjithashtu u vlerësuan edhe artistë të rinj, të cilët në botime të veçanta apo edhe të përmbledhura krijuan poezi dhe proza të ndryshme letrare. Libri më i mirë i botuar në vitin 2008 në fushën e shkencës dhe kulturës islame u cilësua "Përkthimet e letërsisë arabe në gjuhën shqipe", i përgatitur nga Feti Mediu. Ndërkohë, në këtë kategori u vlerësuan edhe librat e autorëve Xhemal Balla, Mevlud Buci, Roland Hysa dhe Yzedin Hima. Peizazhi më i mirë në penelatat e piktorëve shqiptarë u cilësua piktori Idlir Koka, me motivacionin si vepër e artit shqiptar bashkëkohor. Në kategorinë e krijimtarisë letrare të moshave të reja u vlerësua me çmimin e parë romani "Një jetë ndryshe" i Aseda Beharit. Me çmimin e dytë në këtë kategori juria vlerësoi ciklin poetik të Oltion Lilës, ndërsa me çmimin inkurajues u vlerësuan të rinjtë Sytrim Halitaj, Gentiana Zmalaj, Lindita Pima dhe Ejona Qesari.