E Shtunë, 31 Tetor 2026

IS: Te materialet zgjedhore dhe fletët e votimit

Internacionalja Socialiste ka miratuar rezolutë në mbështetje të kauzës së PS-së. Në thuhet se kriza po pengon integrimin


"Komiteti thekson thirrjen e një komisioni hetimor që ka të bëjë me materialet zgjedhore dhe kutitë e votimit"


Kauza e Partisë Socialiste për hetimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit ka marrë dje një mbështetje të fortë nga Internacionalja Socialiste. Të mbledhur dje në Tiranë, pikërisht për trajtimin e kësaj çështje, krerët më të lartë të Internacionales Socialiste, ndërsa janë njohur me zhvillimet politike shqiptare dhe hapat që ka ndërparë Partia Socialiste e Shqipërisë lidhur me përpjekjet për gjetjen e një zgjidhje për krizën politike, kanë miratuar me unanimitet një rezolutë ku theksohet nevoja e hetimit të zgjedhjeve si rruga që do zhbllokonte procesin integrues të vendit tonë.


Rezoluta


Në një dalje për mediat në përfundim të punimeve të Komitetit të IS për Europën Juglindore, sekretari i përgjithshëm i socialistëve mbarëbotëror, Luis Ayala, ka lexuar për mediat rezolutën e miratuar, nëpërmjet së cilës është bërë i ditur edhe qëndrimi zyrtar i kësaj organizate për sa i përket zhvillimeve politike në Shqipëri dhe përpjekjeve të homologëve të tyre shqiptarë.


Rezoluta kërkon hetim të plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit, si rruga që mund të sjellë zgjidhjen e ngërçit politik, i cili, sipas Ayalës, po pengon integrimin drejt BE, për qytetarët shqiptarë. "Sot kemi dëgjuar kemi biseduar dhe arritëm në një rezolutë të miratuar njëzëri.


Pozicioni i shprehur nga Internacionalja Socialiste për nevojën e riformimit të demokracisë, për një transparencë të plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit. Komiteti thekson thirrjen e një komisioni hetimor që ka të bëjnë me materialet zgjedhore dhe kutitë e votimit. Pranojmë se ngërçi po dëmton qytetarët dhe po pengon Shqipërinë në procesin e liberalizimit të vizave", - u shpreh Ayala, duke lexuar rezolutën.


Në rezolutë mbështetet Partia Socialiste për betejën e saj, si dhe përshëndetet fryma që ajo ka treguar për arritjen e konsensusit, duke ndërprerë grevën e urisë dhe duke iu rikthyer jetës normale parlamentare. "Njohim hapat kurajozë të PS që ka ofruar shanse për kompromis, përfshi këtu kthimin në parlament.


Shqipëria ka nevojë për institucione të forta politike, me qëllim që të jetë në pozicionin e duhur për t´iu përgjigjur krizës ekonomike", - deklaroi Sekretar i Përgjithshëm i Internacionales Socialiste. Internacionalja Socialiste njeh edhe vlerëson angazhimin e komunitetit ndërkombëtar për të zgjidhur krizën politike në Shqipëri, ndërkohë që kërkohet bashkëpunim mes vendeve të rajonit për të arritur synimin e përbashkët, BE-në.


Komiteti


Por partitë anëtare të IS-së nuk janë mjaftuar vetëm me mbështetjen morale që u kanë dhënë socialistëve shqiptarë për sa i përket betejës për transparencën e votës. Kështu, mësohet se gjatë zhvillimit të mbledhjes së Komitetit të Internacionales Socialiste për Europën Juglindore me dyer të mbyllura, përfaqësues të partive të majta të një sërë vendesh të zhvilluara teksa kanë mbështetur betejën e socialistëve shqiptarë janë angazhuar që të kontribuojnë për të lobuar edhe në Parlamentin Europian në favor të hetimit të zgjedhjeve.


Mësohet se përfaqësuesit gjerman, italian dhe francez të pranishëm në mbledhjen e djeshme kanë marrë përsipër që të punojnë me eurodeputetët e tyre për të bërë të mundur që çështja e hapjes së kutive të marrë mbështetje më të madhe në Parlamentin Europian.


Ndërkohë, nga ana tjetër përfaqësuesit bullgar dhe rumunë janë shprehur të gatshëm që në momentin e arritjes së një marrëveshje për transparencën e zgjedhjeve, të sjellin në Shqipëri ekspertë të tyre për të ndihmuar PSSH që të realizojë hetimin e duhur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›