E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: "Kriza, jemi në dispozicion të zgjidhjes"

Kriza politike në Shqipëri ka mbledhur në Tiranë partitë e majta anëtare të Internacionales Socialiste


TIRANË - Në kushtet kur mazhoranca nuk po pranon kërkesën e opozitës për të hetuar zgjedhjet e kaluara përmes shqyrtimit të fletëve të votimit, dhe kur afati i ndërkombëtarëve për kompromisin politik po shkon drejt limitit të tij, Partia Socialiste ka specifikuar dje pozicionin e saj, duke kërkuar transparencën e plotë të zgjedhjeve, si rrugë për zgjidhjen e krizës politike.

Në mbledhjen e Komitetit të Internacionales Socialiste të Europës Juglindore, ku merrnin pjesë sekretari i Përgjithshëm i Internacionales Socialiste Luis Ayala si dhe ish-kryeministri bullgar, Sergei Stanishev, ish-kryeministri rumun, Adrian Nastase, dhe shumë personalitete të politikës së majtës ballkanase dhe me gjere, kreu i opozitës, Edi Rama, theksoi se për zgjidhjen e kësaj situate politike ekziston një kompromis që bën të mundur hetimin e zgjedhjeve dhe vijimin normal të funksionimit të Parlamentit.


Transparenca e zgjedhjeve, sipas tij, do të krijonte mundësinë e realizimit të reformave. "Ne jemi në dispozicion të zgjidhjes. E kemi thënë dhe e përsëritëm edhe sot, se për ne ka një kompromis të arsyeshëm që i hap rrugën transparencës dhe garanton mbarëvajtjen e punës së parlamentit.


Duke krijuar të gjitha kushtet që të shkohet përpara me reformat për të cilat ka nevojë vendi, por të cilat pa procesin e transparencës janë thjeshtë një teatër që nuk i duhet askujt. Ne, në asnjë mënyrë jo", - tha dje Rama. Kryesocialisti vuri në dukje se kauza e opozitës kërkon që t'i japë fund deformimit 20-vjeçar të zgjedhjeve, ku, sipas tij, nuk ka vendosur vullneti i popullit, por ai i pushtetit për drejtimin e vendit. Për këtë arsye, sipas Ramës, transparenca e zgjedhjeve do të bëjë të mundur hapjen e një epoke transparente dhe konkurrente në të gjithë fushat jetësore të vendit.


"Kauza jonë demokratike gjen inspirim në vendosmërinë tonë për t'i dhënë fund historisë që tjetër njerëzit dëshirojnë, tjetër votojnë për shkak të trysnisë dhe presionit, tjetër numërojnë për shkak të korrupsionit elektoral, dhe tjetër rezultat ka në fund pavarësisht nga vullneti i tyre. Transparencën e zgjedhjeve ne e konsiderojmë gurin e themelit për të hapur një epokë të re transparence e konkurrence në tërësinë e jetës së vendit", - u shpreh ai.


Duke parashtruar ecurinë e aksionit politik të opozitës përgjatë këtyre 10-muajve në kërkim të hetimit të zgjedhjeve të 28 qershorit, Rama nënvizoi se zgjatja e ngërçit politik, ka provuar se procesi i kaluar zgjedhor është manipuluar me qëllim për t'u ricikluar pushteti aktual politik.


Sipas Ramës, vjedhja e votave në Shqipëri nuk ndodh për herë të parë, pasi, sipas tij, ato janë manipuluar përgjatë gjithë viteve të fundit, por është hera e parë që zgjedhjet manipulohen në një kohë kur Shqipëria është anëtar i NATO-s.


"Për ne zgjatja e kësaj krize ka provuar më së miri se zgjedhjet e shkuara janë vjedhur për të ricikluar pushtetin e sotëm, por edhe ka nxjerrë në pah përditë e më me forcë domosdoshmërinë e një zgjidhjeje që të garantojë transparencën e procesit zgjedhor.


Nuk është e para herë që zgjedhjet në Shqipëri deformohen e kontestohen, kjo është një histori e vjetër. Por, është hera e parë që një gjë e tillë ndodh në një vend anëtar të NATO-s", - nënvizoi Rama. Lideri i së majtës shtoi se vijimi i krizës politike, duke mos u kryer transparenca e zgjedhjeve ka bërë që të cenohen mekanizmat e demokracisë, si politizimi e paralizimi i sistemit të drejtësisë, si dhe mungesa e zhvillimit ekonomik të vendit.


Sergei Stanishev (Bashkëkryetar i Komitetit të IS për Europën Juglindore":


"PS ka treguar pjekuri e maturi duke ndërprerë grevën e urisë dhe duke marrë vendimin për tu kthyer në parlament, duke treguar vullnet për gjetjen e një konsensusi, për të gjetur një rrugëzgjidhje për këtë krizë politike. Dhe ky është një sinjal i qartë pozitiv i PS lidhur me përgjegjësitë që ata ndjejnë karshi qytetarëve të vendit. Shqipëria po përballet me mjaft sfida, po përballet me krizën ekonomike dhe sociale, së dyti me integrimin në BE.


Të gjitha këto e të tjera kërkojnë përfshirjen e opozitës në këto procese dhe një konsensus. Në fakt është deklaruar qartë edhe nga familjet politike europiane se pa këtë konsensus, pa këtë përfshirje do të ishte shumë e vështirë ecja e Shqipërisë drejt BE. Tashmë i takon shumicës parlamentare e qeverisë të provojë që edhe ata kanë po ashtu një pjekuri politike".

Adrian Nasatase (Ish-kryeministri Rumun):


"Ju takon partive politike të gjejnë zgjidhje për çështje të cilat janë urgjente, siç është heqja e vizave dhe integrimi në BE. Ne në këtë tryezë po diskutojmë për kompromis dhe mundësi.


Do të ishte mirë që forcat politike të angazhoheshin në një tryezë të përbashkët ku të dilnin me një zgjidhje të përbashkët, në një kohë kur Brukseli është mjaft nervoz për hir të situatave aktuale, për hir të krizës në eurozonë, apo për çështje të tjera. Pra është e udhës që këto parti të ulen, të hartojnë një dokument i cili veç hetimit të problemeve të së shkuarës të zgjidhë dhe atë çka do të ndodhë në të ardhmen.


Pra, partitë politike shqiptare duhet të ulen dhe t'i përcjellin mesazhin Brukselit dhe popullit të tyre se janë gati të punojnë për të ardhmen. Mendoj se në momentin kur Partia Socialiste ka lënë grevën e urisë dhe është rikthyer në Kuvend, besoj se duhen ndërmarrë hapa dhe masa të forta edhe nga pala tjetër në mënyrë që të arrihet një kompromis".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›