E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISG: Ide për shkëmbime territoresh Kosovë-Serbi

Siç mëson BBC, ka ide që vlerësojnë se ndarja e veriut të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, dhe shkëmbimi me territorin e komunës së Preshevës në jug të Serbisë, e banuar me shumicë shqiptare, do të mund të zgjidhte problemin mes dy vendeve. Propozimet për Kosovën, vijnë në periudhën kur pritet dhënia e mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, për ligjshmërinë e pavarësisë dhe pritjes së fillimit të bisedimeve mes palëve pas këtij vendimi.

Ekzistenca e idesë për shkëmbim territoresh nuk është mohuar as nga organizatat ndërkombëtare me ndikim, por ato kanë thënë se ajo është më e vështirë të arrihet se sa, siç thuhet, "mendojnë disa vëzhgues në Beograd". Drejtori për Ballkanin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave (ICG), Marko Prelec, i tha BBC-së se idetë për shkëmbim territoresh tashmë po qarkullojnë, por ato, sipas tij, kanë pak gjasa që të realizohen.

Ai tha se mund të ketë edhe zgjidhje alternative për veriun e Kosovës dhe për Luginën e Preshevës, përveç ndarjes dhe shkëmbimit të territoreve. Prelec tha se Grupi i Krizave ka diskutime me të gjitha qeveritë e rajonit në baza të rregullta dhe, sipas tij, do të ishte e papërshtatshme që të komentojë këto diskutime meqë ato janë gjithnjë konfidenciale.

Në pyetjen direkte se a është në ndonjë axhendë çështja e ndarjes së Kosovës, Prelec tha se janë "hedhur ide për një lloj rregullimi territorial", por sipas mbetet të shihet se sa reale mund të jenë ato.

"Por ajo që e bën tërheqëse shkëmbimin e territoreve, jo vetëm në rajon, por edhe jashtë tij, tek disa palë, është se duket si një zgjidhje e shpejtë e problemeve praktike, që përndryshe do të ishte e vështirë të zgjidheshin", thotë Prelec.

Me "rregullim territorial", Prelec mendon konkretisht për veriun e Kosovës dhe Luginën e Preshevës, më saktësisht, një pjesë e saj. Ai saktëson se "kjo nënkupton pjesën e banuar me shumicë serbe në Kosovë dhe pjesën e banuar me shumicë shqiptare në Serbi", duke shtuar se ky është një rezultat i mundshëm. Por përsëriti se kjo është diçka për të cilën po spekulohet sot, por që do të jetë shumë e vështirë që të arrihet një marrëveshje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›