E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISHP A/H1N1 kete vit nuk eshte agresiv

Specialistët e Institutit  të Shëndetit Publik po vazhdojnë analizimin  e mostrave  në laboratorin e virologjisë, të marra nga spitalet e Tiranës, dhe të rretheve  tek pacientët që kanë shfaqur shenja te virusit, A/H1N1. Sipas  të dhënave që raportojnë ata për Alsat,  cdo ditë analizohen në laborator rreth 20 mostra.

"Për momentin nuk kemi raste të reja, po kjo nuk do të thotë që mund të mos dalin raste të reja. Fluksi i këtyre ditëve nuk ka qenë më tepër se 20-25 mostra në ditë", thotë Dritan Ulqinaku, specialist në ISHP. Specialistët rekomandojnë se qytetarët janë ende në kohë, për të  bërë vaksinën antigrip, e cila në përmbajtje të saj ka dhe shtame,  kundër virusit A/H1N1.

"Ajo që ne vazhdojmë ta rekomandojmë është përsëri vaksina, e cila aktualisht është në treg, dhe është e disponueshme për të gjithë dhe vazhdon të jemi në kohë që njerëzit e grupmoshave të ndryshme mund ta përfitojnë", tha Ulqinaku.

Përsa i përket  personave që  janë infektuar një herë me gripin e derrit, mjekët thonë se ata nuk janë të rrezikuar për tu infektuar sërish. Sipas specialistëve te ISHP, gjendja është më e mirë se ajo e një viti, më parë, pasi virusi nuk paraqet agresivitet.

Edlira Sulejmani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›