E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISHP: A/H1N1 këtë vit nuk është agresiv

SHKRUAN: Jonida Tashi 13-01-2011 12:38

Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik po vazhdojnë analizimin e mostrave në laboratorin e virologjisë, të marra nga spitalet e Tiranës dhe të rretheve te pacientët që kanë shfaqur shenja të virusit A/H1N1. Sipas të dhënave që raportojnë specialistët e shëndetit publik, çdo ditë analizohen në laborator rreth 20 mostra. “Për momentin nuk kemi raste të reja, po kjo nuk do të thotë që mund të mos dalin raste të reja. Fluksi i këtyre ditëve nuk ka qenë më tepër se 20-25 mostra në ditë”, - thotë Dritan Ulqinaku, specialist në ISHP. Specialistët rekomandojnë se qytetarët janë ende në kohë për të bërë vaksinën antigrip, e cila në përmbajtje të saj ka dhe shtame kundër virusit A/H1N1. “Ajo që ne vazhdojmë ta rekomandojmë është përsëri vaksina, e cila aktualisht është në treg, dhe është e disponueshme për të gjithë dhe vazhdon të jemi në kohë që njerëzit e grupmoshave të ndryshme mund ta përfitojnë”, - shprehet Ulqinaku. Përsa i përket personave që janë infektuar një herë me gripin e derrit, mjekët thonë se ata nuk janë të rrezikuar për t’u infektuar sërish. Sipas specialistëve të ISHP-së, gjendja është më e mirë se ajo e një viti më parë, pasi virusi nuk paraqet agresivitet. Ndërsa në spitalin “Nënë Tereza” situata duket normale përsa i përket gripit stinor dhe virusit A/H1N1. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, situata epidemiologjike ka pësuar zhvillime të reja. Ndryshe nga dita e hëna e kësaj jave, kur të dyshuar me virusin A/H1N1 ishin rreth 5 persona, për të cilët priteshin përgjigjet e analizave laboratorike, ditën e martë janë konfirmuar 17 raste të prekurish. Deklarata është bërë nga drejtori i Përgjithshëm i Planifikimit dhe Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, sipas të cilit, nga ndjekja dinamike e situatës dhe marrja e analizave nga çdo rast i dyshuar i ditëve të fundit (50 mostra), deri tani janë konfirmuar 17 raste me A/H1N1 dhe 12 raste me grip stinor.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›