Shtatë shërbimet falas në parësor
Në shërbimin shëndetësor parësor aktualisht ofrohen shtatë shërbime falas për pacientët e siguruar. Më konkretisht, shërbimet e përfshira në kontratën e ISKSH-së me qendrat shëndetësore janë: kujdesi në rastet e urgjencës; kujdesi shëndetësor për fëmijët; kujdesi shëndetësor për të rriturit; kujdesi shëndetësor për gratë dhe shëndeti riprodhues; kujdesi shëndetësor për të moshuarit; kujdesi shëndetësor mendor; promocioni dhe edukimi shëndetësor. Ndërkaq, paketa e shërbimeve shëndetësore në shërbimin parësor përfshin edhe listën e barnave të urgjencës që duhet të ketë qendra shëndetësore. Sipas ISKSH-së, kjo listë që standardizon këtë shërbim në të gjithë vendin, përcakton emrat e 68 barnave dhe materialeve të konsumit që duhet të ketë qendra shëndetësore për trajtimin e urgjencave, duke filluar nga serumet deri në trajtimin e rasteve urgjente me sëmundje nervore, astmatike, shoku anafilaktik etj.