ISHP: “Rifillimi i punës në KURUM, vetëm kur të plotësohen kushtet e punës”
Puna në repartin e shkrirjes së uzinës turke KURUM në Elbasan, do të rifillojë vetëm kur në këtë repart të jenë siguruar plotësisht kushtet për mbrojtjen e jetës së punëtorëve. Ky është vendimi që ka marrë Inspektorati Shtetëror i Punës (ISHP) për rifillimin e punës në këtë repart. Reparti i shkrirjes së çelikut u mbyll në 14 janar të këtij viti, kur në një nga furrat e tij ndodhi një shpërthim me pasojë vdekjen e dy punëtorëve dhe plagosjen e pesë të tjerëve. Drejtori i ISHP-së, Thoma Miço, pohon se: “Në fund të muajit shkurt KURUM kërkoi lejen për rifillimin e punës, por nga inspektimet tona u evidentuan mangësi në kushtet e punës së punëtorëve”. Ai nënvizoi se ISHP nuk u ndal vetëm në parametrat e sigurisë në furrën e riparuar, por në vlerësimin total të të gjithë veprimtarisë dhe problemeve që ka pasur uzina e çelikut në Elbasan. Thoma Miço bën të ditur se aktualisht ISHP ka depozituar një kërkesë pranë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, asaj të Mjedisit dhe Shëndetësisë me qëllim që edhe inspektorët e tyre të verifikojnë punën në KURUM. Ndërkohë sipas Miços, pritet që këto dikastere të prononcohen lidhur me rifillimin e punës në KURUM. Sipas tij, e gjithë kjo praktikë po ndiqet për të siguruar shëndetin e punëtorëve në punë. “Një praktikë e tillë do të ndiqet për të gjithë subjektet që kanë prodhuar aksidente në punë dhe që nuk respektojnë ato parametra dhe kërkesa që parashtrohen në ligj”,- sqaroi drejtori i ISHP-së. Reparti i shkrirjes së çelikut në uzinën turke KURUM në Elbasan u mbyll rreth tre muaj më parë me kërkesë të ISHP-së, me qëllim plotësimin e kushteve të punës nga drejtuesit e kësaj uzine dhe ndërtimin e një furre të re me parametra të pranueshme, që garanton procesin e teknologjisë pa shkaktuar rreziqe në jetën e punëtorëve. Firma turke KURUM që ushtron aktivitetin e saj prej 10 vitesh në vend ndodhet në mjediset e ish-kombinatit metalurgjik, 5 km larg qendrës së qytetit të Elbasanit.
10 Prill 2008