E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLSH-ja çon në Prokurori 6 milionë lekë evazion në rrugën “Rrëshen-Kalimash”

Në raport Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton gjithsej 6 miliardë lekë dëm në administratën qendrore

Tiranë – KLSH-ja çon në Prokurori evazionin fiskal të firmës që kryen punimet në rrugën “Rrëshen – Kalimash”. Sipas burimeve, Kontrolli i Lartë i Shtetit ia ka rehatuar konstatimet organit të Akuzës, duke vërtetuar shkeljen e ligjit nga firma.
Përveç kësaj, kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Robert Çeku, raportoi dje në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave mbi kontrollet e ushtruara gjatë vitit 2007 në institucionet shtetërore. Kreu i KLSH-së, Çeku, ka vënë theksin mbi dëmet dhe shkeljet nga institucionet shtetërore si dhe sugjerimet që vijnë nga KLSH-ja pas këtyre evidentimeve. Sipas Çekut, për vitin 2007 KLSH-ja ka ushtruar rreth 198 kontrolle në institucionet e qeverisjes qendrore, administratës vendore, njësitë dhe projektet me financime të huaja, drejtoritë dhe degët e tatim-taksave e të doganave, si dhe institucionet në shërbim të reformave ekonomike. Dëmi në total, sipas Çekut, është 6 miliardë lekë dhe shkeljet janë bërë kryesisht nga doganat, tatimet dhe në shitjet e pasurive. Për këtë Çeku sugjeroi mosndryshim të shpeshtë të legjislacionit. “Ndryshimet e shpeshta në legjislacion pengojnë biznesin dhe administratën”, - tha Çeku gjatë raportimit, duke sugjeruar të rishikohet ligji për TVSH-në, pasi janë hasur probleme në rimbursimin e kësaj takse. “Nga kontrollet e ushtruara janë zbuluar shkelje e parregullsi financiare për të ardhurat në buxhetin e shtetit dhe për shpenzimet me fondet buxhetore, me dëm efektiv të përgjithshëm në shumën totale prej 6.059.325.000 lekësh", - deklaroi kreu i KLSH-së, Çeku. Ai u shpreh më tej se ky dëm efektiv i përket veprimtarisë ekonomiko-financiare të ushtruar në periudhën 2004-2006 dhe gjatë 9-mujorit të vitit 2007. KLSH-ja harton çdo vit raport mbi punën e institucioneve shtetërore. Mbi bazën e të dhënave shumë shkelje janë raportuar në prokurori dhe shumë prej punonjësve janë ndjekur penalisht për abuzimet me detyrën në bazë të raporteve.

10 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›