Pollo: “Ngrihet Këshilli Kombëtar i Arsimit Parauniversitar”
Arsimi Parauniversitar në vend tashmë do të mbikëqyret nga një nga një organ këshillimor që është Këshilli Kombëtar i Arsimit Parauniversitar. Ky organ këshillimor, do të mbështesë Ministrinë e Arsimit dhe Këshillin e Ministrave për politikat e zhvillimit të Arsimit Parauniversitar. Ministri i Arsimit, Genc Pollo, ishte dje i pranishëm në mbledhjen e Komisionit të Edukimit dhe Medias në Kuvend, për të folur mbi ndryshimin e bërë në ligjin e Arsimit Paraunversitar për krijimin e Këshillit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar. Sipas kreut të arsimit, ky këshill do të ndihmojë për këshillimin dhe formulimin e mendimeve dhe të propozimeve për hartimin e strategjive dhe programeve kombëtare për Arsimin Parauniversitar, drejtimet e politikave respektive dhe përgatitjen e akteve ligjore, për reformën e kurrikulave dhe teksteve për Arsimin Parauniversitar, për projektbuxhetin e parashikuar për Arsimin Parauniversitar dhe mënyrën e shpërndarjes së tij, për standardet për vlerësimin e institucioneve të Arsimit Parauniversitar, për zhvillimin e politikave të veçanta, të kërkuara nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës dhe rrugët e financimit të tyre, si dhe për çdo problem tjetër, që kërkohet nga ministri i Arsimit.
Reforma arsimore
Reforma arsimore e shprehur në dokumentet e hartuara (strategji e projekte të ndryshme), në zbatim, ka vlerën e një platforme kombëtare, ku të gjitha grupet e interesit duhet të japin kontributet e tyre. Parë në këtë optikë, MASH-i dhe qeveria vlerësojnë si domosdoshmëri ngritjen e këtij këshilli për sigurimin e një angazhimi, intensiv dhe profesional, për vendosjen e dialogut gjithëpërfshirës dhe për ndërtimin e mirëkuptimit ndërmjet aktorëve realizues, me synim ndërtimin e një sistemi arsimor, kombëtar e modern, që mbështet rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe konsolidimin e demokracisë. Për këtë qëllim, në këshill duhet të ketë përfaqësues të Këshillit të Ministrave, të Ministrisë së Financave, të Ministrisë së Brendshme, të Ministrisë të Punës, të Ministrisë së Shëndetësisë, të Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, të qeverisjes vendore, si dhe figura të njohura për kontributin e tyre shkencor në fushën e arsimit dhe shkencës, të cilët kanë njohje të mirë të përvojës ndërkombëtare, në fushën e zhvillimit të Arsimit Parauniversitar.
Këshilli
Këshilli Kombëtar i Arsimit Parauniversitar do të ndihmojë me këshillime shumë të kualifikuara ministrin e Arsimit dhe Shkencës, në kryerjen e funksioneve dhe të detyrave të tij, në drejtim të vendimmarrjes, me impakt afatgjatë dhe të rëndësisë së veçantë. Këshilli organizon analiza për zhvillimet themelore, që parashikohen të ndërmerren në procesin e reformimit të sistemit, si dhe ndërhyrjet e nevojshme për zhvillimin, përmirësimin, planifikimin e zbatimit të Strategjisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar (SKAP). Sipas MASH-it, oponenca konstruktive e anëtarëve të këshillit për problemet që ai trajton rrit objektivitetin dhe efektivitetin e vendimmarrjes duke siguruar njëkohësisht vendimmarrjen e nevojshme për probleme zhvillimore strategjike. Krijimi i këtij këshilli mbështet përgatitjen dhe instalimin e vizioneve afatgjata në sistemin e Arsimit Parauniversitar, në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian dhe plotësimin e detyrimeve që rrjedhin nga zbatimi i MSA-së. Deri tani rolin e këtij këshilli e kanë luajtur grupet e përhershme të punës të ngritur në MASH. Përmes këtij amendamenti, një praktikë e tillë institucionalizohet me ligj.
Përbërja
Këshilli do të përbëhet nga 23 anëtarë, Ministri i Arsimit dhe Shkencës kryetar, përfaqësues nga Drejtoritë Arsimore, Ministria e Financave, Ministria e Brendshme, Ministria e Punës, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, kryetari i shoqatës së bashkive, kryetari i shoqatës së komunave, kryetari i këshillave të qarqeve dhe 13 anëtarë të tjerë ekspertë të zgjedhur me konkurrim publik.
10 Prill 2008