Një bisedë e pambaruar me Sali Berishën
Nga Mark TOPOLLAJ*
Në këto ditë pranvere të përgjakura shqiptare, dielli duket i mbuluar nga një hije e zezë që e ka burimin nga delijorgjat e pushtetarëve të korruptuar.
Me sy të përlotur e faqe të përgjakura, nënave e motrave shqiptare i duhet edhe një herë të vajtojnë një tragjedi tjetër shqiptare.
Skenari i tragjedisë së sotme është shkruar në kulisat e politikes ose më mirë me thënë “Katovica Shqiptare”, që po pjell çdo ditë delikuente ose delijorgjë.
“Druri i ushqen krimbat, dhe krimbat e thajnë drurin”, ato po thajnë zemrat e lodhura te shqiptarëve për te ruajtur karrigen e pasurisë, duke mos llogaritur asnjë lloj çmimi.
Ky është shembulli anti-njerëzor patologjik, i padëgjuar në historinë e popujve të botës. Në çdo organizëm shtetëror delijorgjët sollën e do të sjellin të ftohtin e vdekjes, si ajo era që sjell borën dhe të djeg përbrenda, ose të bën të pish helmin që bashkë me shiun sjell mjegullën e të panjohurës, sjell natën e përjetshme.
Kjo quhet dhimbja njerëzore në këtë demokraci të brishtë. Transformimet e mëdha historike kanë sjellë gjithmonë lot, gjak dhe dhimbje te mëdha. Po britmat e të vdekurve e të gjallëve sot në kohë paqe, çfarë transformimesh sjellin? Padyshim këto prurje janë burim i varfërisë dhe i majmërisë së pushtetarëve.
Autokracia e shtetit shqiptar Z. Sali Berisha, ka punuar në mënyrë të vazhdueshme për të shkatërruar kualitetin e jetës, ka frenuar krenarinë, kurajën. E vërteta në vazhdimësinë e kësaj demokracie, që kjo mund të quhet pa frikë “demokracia e delijorgjeve”, kanë vrarë mendimin progresiv, kanë vrarë vetë jetën. Në aparatin burokratik shtetëror Z. Kryeministër keni mbledhur një grup njerëzish, që i trajtoni jo si rreshterët e PS-së por si zboristët pa asnjë lloj grade. Duhet theksuar se e gjithë Partia Demokratike është kthyer në një batalion zboristësh.
Brenda këtij aparati demokratik me kohë kanë hyrë Rrasputinët që kanë ardhur nga shkolla e totalitarizmit, që predikojnë fenë e grabitjes. Aty kanë hyrë Çiçikovët, Llukallokiçët, Artemfilipoviçët, ka hyrë vetë Klestakovi. Ata nën udhëzimin e Katovicës që s’është gjë tjetër vetëm promemoria e Çubrilloviçit, që po e gërvisht ndërgjegjen e kombit.
Z. Kryeministër sa kohë do të presin shqiptarët që të largohet kjo e keqe? Dante Aligeri thotë: “Se shekulli i fatit do të vijë kur të jetë me të vërtetë shekulli i fundit i botës”. Shpresoj se shqiptarët nuk do ta përfillin këtë bujari satanike. Pse dinjiteti i personazheve që janë në politikë, kultivohen si druri i palmës që i bën me jetue mirë të gjithë hajdutët e vrasësit, apo se quhen vetëm delijorgjë.
Këto personazhe i gjen në dikasteret kryesore e kulturore, sepse aty Z. Kryeministër ke vendosur komunistët që e kanë flakur të parët teserën e partisë, por kanë mësuar mjeshtërinë e përshtatjes që u jep gjithmonë përfitim. Këta quhen ministra, drejtues institucionesh kulturore e artistike, këta quhen drejtues televizionesh, quhen Beca e Gërdeca.
Z. Kryeministër nuk drejtohet shoqëria me policë, por me ide progresive që i sjellin intelektualët e mirëfilltë. Pa zhvillim kulturor dhe ndërgjegjësim demokratik, shoqëria do të mbetet propaganda e portretit komunist. Kurse të përndjekurit sot në Shqipëri, prezantojnë preludin e degradimit komunist që shihet në panoramën e eliminimit të mijërave njerëzve të thjeshtë, intelektualë dhe artistë që e kishin kurajën të shprehnin mendimin e lirë. Ndërsa qeveria juaj i sjell vërdallë, si hetuesit dhe prokurorët e dikurshëm. Ky fat para tyre interpreton mendimin tragjik të një realiteti të pashembullt. Kjo shihet dhe në institucionet artistike, që nuk duan ta trajtojnë këtë teme edhe pse Këshilli i Evropës është shprehur disa herë se nevoja për të dënuar krimet e komunizmit është e domosdoshme. Edhe parlamenti hesht me mefshtësinë e vet.
Shpesh po thuhet dhe ne të gjithë e dimë, se komunistët në Shqipëri kanë evoluar, ose transformuar për shkak të dinamikës së jashtme dhe të brendshme dhe sot mbrohen me kulturën e krimit si delijorgjët.
Në art e kulturë nuk ndjehet era e demokracisë, por era e uzurpimit të institucioneve, era e mafies. Kinematografia nuk është e interesuar për çështjen kombëtare, por për dashuriçka, dhe nxjerrjen e eshtrave nga toka, të grekëve e serbëve, dhe për eshtrat e qindra e mijërave shqiptarëve që s’u dihet varri heshtin. Me paratë e taksapaguesve shqiptarë, popullit më të varfër të Evropës, do punojnë kineastët serbë e ruse, e kineastët shqiptarë që kërkojnë të lartësohet çështja shqiptare i flakin.
Në emër të demokracisë këto grupe njerëzish janë gati të bëjnë film, edhe për Sllobodan Millosheviçin, se i shkreti është lodhur duke na vrarë.
Z. Kryeministër, ju e dini më mirë se unë se idetë e komunizmit i keni prezent. Dostojevski thotë: “Se në komunizëm nuk ka vepër arti pa prezencën e djallit”. Në artin e Kinematografisë shqiptare ka një diferencim diskriminues, demografik e gjeografik, por dhe ai religjioz. Kjo u pa në Festivalin e fundit në Radiotelevizion, në zgjedhjen e temave krijuese në qendrën kinematografike shqiptare. Aty janë mbledhur ca grykës misteriozë të frikshëm, të cilët mashtrimin dhe devocionin e tyre e shprehin me produktin e intrigës, duke u mbledhur rreth njeri-tjetrit dhe bëhen protagonistë të vetvetes. Askush nuk mund ta mendojë se një amerikan si Sten Dragoti, që s’ka bërë film kurrë, i jepet për një fletë të shkruar 250 milion lekë, një kohë që Komiteti Evropian për një skenar të aprovuar nga një komision i nivelit të lartë, paguan maksimumin e mundshëm 80.000 euro. Më thoni a nuk është e gjithë kjo një korrupsion i gjallë, që e ka burimin nga totalitarizmi shtetëror?
Kurse për revoltën e Spaçit, ju heshtni! Nuk është kurrë vonë që për ata që kanë mbetur gjallë dhe për fëmijët e tyre t’u dhurojmë së paku një kompensim moral?!
Ky është paradoksi i fundit shqiptar e po i përdhos përsëri ata që kanë bërë burg me shumë se mosha e tyre kur i dënuan.
Z. Kryeministër edhe në qoftë se nuk më përgjigjesh, do ta vazhdojmë bisedën se është e pambaruar.
* KINO-REGJISOR
10 Prill 2008