Sëmundjet Kardiovaskulare rimbursohen në masën 70 për qind
Emanuela Sako
Sëmundjet kardiovaskulare rimbursohen me masën rreth 70% nga ISKSH-ja. Sëmundjet kardiovaskulare zënë vendin e parë në sëmundshmërinë e përgjithshme të popullsisë në vendin tonë. Duke parë domosdoshmërinë e kurimit dhe barnat e shumta dhe të domosdoshme që nevojiten, rimbursimi i tyre është bërë në masën 70 për qind. Ndërkohë që këtë vit u futën në listën e barnave të rimbursueshme 21 barna të reja. Vendosja e kësaj mase mbulimi është parë me përparësi si në aspektin shkencor, pasi këto janë sëmundje me rrezikshmëri të lartë dhe përqindje të lartë invaliditeti edhe në aspektin social. Kjo pasi shumica e pacientëve nuk kanë mundësi t’i blejnë për shkak të të ardhura të ulta. Burime nga ISKSH-ja sqaruan se është bërë mbulimi i të gjitha grup sëmundjeve dhe një shpërndarje e drejtë e fondeve, duke marrë në konsideratë shpenzimet për rimbursimin e barnave në vitin 2007. Lista e Barnave te Rimbursueshme 2008 mbulon rreth 94% të sëmundjeve kronike. ISKSH-ja kërkon hartimin e dy listave alternative të barnave, një listë të plotë të barnave të rimbursueshme dhe listën me bashkëpagesë me pacientin. Për barnat e rimbursueshme, ISKSH-ja vuri në dispozicion fondin prej 4.2 miliard lekë, ndërsa efekti financiar vjetor për alternativat e barnave të shtuara është 135 milion lekë.
Pëfituesit
Përfituesit më të mëdhenj të barnave me rimbursim janë të sëmurët kronikë, të cilët janë të detyruar të blejnë vazhdimisht barna. Njëkohësisht në këtë kategori përfshihen të sëmurët me zemër, veshka etj. Ndërsa pjesa tjetër e përfituesve janë fëmijët që vuajnë nga sëmundje të rënda. Për këtë arsye, barnat janë vendosur sipas prioriteteve, duke nisur nga fëmijët hemofilikë, të sëmurët me kancer etj. Nevojat për shtimin e listës së barnave të rimbursueshme për këtë vit, kanë qenë të domosdoshme, por buxheti i akorduar për shtimin e barnave ka qenë i pamjaftueshëm.
Barnat
Ministria e Shëndetësisë dhe ISKSH-ja vendosën që në listën e barnave të rimbursueshme të shtimin e 20 alternativave barnash në formë dozash, si dhe bënë zëvendësimin e 5 barnave ekzistuese në listën e Barnave të Rimbursueshme të vitit 2007. Zëvendësimi i tyre u bë me të njëjtat barna, por që kanë një përshtatje të formë-dozës me të cilën ato janë regjistruar dhe qarkullojnë në Shqipëri. Njëkohësisht, specialistët vendosën që të hiqen nga lista 11 barna, të cilat nuk janë në qarkullim në vendin tonë ose janë deklaruar nga vetë fabrikuesit e tyre që nuk do të prodhohen më në atë formë. Specialistët theksojnë se për ato sëmundje, të cilat trajtoheshin më parë me këto barna, ekzistojnë në listën aktuale alternative të njëjta për trajtimin e tyre. Kështu, komisioni ka marrë parasysh propozimin e ISKSH-së për të pasur dy lista me barna alternative, një listë të plotë të barnave të rimbursueshme dhe listën me bashkëpagesë me pacientin.
13 Gusht 2008