Hetimet për gjetjen e autorëve
VLORË - Një 27-vjeçar ka mbetur i plagosur në një atentat me armë pas mesnatës në qytetin Vlorës. Sipas policisë, i riu Klodian Haxhiraj ka qenë duke udhëtuar me makinën tip “Benz”, ngjyrë gri, me targa VL 7762 C, kur në afërsi të banesës së tij, te vendi i emërtuar "Kombinati", pranë bulevardit “Vlorë-Skelë”, përbri tij është afruar një automjet i të njëjtit tip me 2-3 persona brenda, njëri prej të cilëve ka qëlluar me breshëri automatiku. Nga të dhënat e para mësohet se edhe autorët e sulmit kanë qenë duke udhëtuar në një makinë tip “Benz”. Me të mbërritur në vendin e ngjarjes policia ka nisur veprimet hetimore. Pak më vonë policia është sinjalizuar për një makinë të djegur disa qindra metra larg vendit të ngjarjes, në lagjen “10 korriku". Dyshohet se benzi, me traga gjermane EMC 311, të jetë mjeti të cilin kanë përdorur autorët e krimit për të kryer atentatin. Sipas policisë së Vlorës, brenda automjetit ndodhej edhe arma automatike e tipit “Kallashnikov”, që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Nga verifikimet e para mjeti rezulton të jetë vjedhur një muaj më parë në qytetin e Fierit dhe se targat e tij janë false. Policia ka shoqëruar në cilësinë e personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen disa dëshmitarë të ngjarjes, ndërsa po punohet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve. Viktima Klodian Haxhiraj ndodhet në repartin e reanimacionit në Spitalin e Vlorës dhe mjekët thonë se plumbat kanë përshkuar gjymtyrët e 27-vjeçarit. Ende janë të paqarta motivet e këtij krimi, ndërsa mësohet se i plagosuri punonte si mësues fizkulture në një shkollë private.
Grabitjet, pesë shqiptarë bien në pranga në Spanjë
GRANADA - Pesë shqiptarë janë arrestuar në Spanjë pasi dyshohet se kryenin grabitje në qytete të ndryshme spanjolle. Agjencitë spanjolle të lajmeve bëjnë të ditur se në një operacion të koduar me emrin “Sapo”, policia vendase ka arrestuar pesë shqiptarë që akuzohen për më shumë se 20 plaçkitje në dhjetëra shtëpi në qytetet, Alicante, Murcia, Almeria dhe Granada. Policia nuk bën të ditur identitetet e shqiptarëve, por shton se ndërkohë ka shoqëruar dhe 4 persona që kishin marrë në mbrojtje për të fshehur gangsterët shqiptarë. Hetimi filloi në fund të vitit të kaluar (2009) kur Policia spanjolle mësoi për ekzistencën e një bande aktive të organizuar që po bënte terror me grabitje të njëpasnjëshme. Banda vepronte kryesisht në zonat Torrevieja dhe Orihuela, ku ata punonin si roje nate në disa kompani të njohura. Policia deklaron se për këtë arsye bastisjet nga ana e shqiptarëve kryheshin kryesisht natën me automjete. Ata takoheshin çdo ditë në një bar, më pas vishnin rroba të errëta dhe grabisnin sipas planit. Mallrat e vjedhura shiteshin kryesisht në tregun e zi ose dërgoheshin në Shqipëri. Policia dyshon se mbi të arrestuarit rëndojnë me shume se 100 vepra të ndryshme penale. Në banesat e tyre policia sekuestroi në cilësine e provës materiale si pajisje elektrike, kompjuterë, dokumente zyrtare, para, elektroshtëpiake dhe bizhuteri.
Shfrytëzonin si prostituta dy motra, tre veta në kërkim
Tropojë - Dy qytetarë të Kosovës, vëllezër mes tyre, përkatësisht 40 dhe 35 vjeç, si dhe një grua e moshës 54 vjeçe, janë shpallur në kërkim nga Policia shqiptare për akuzën e trafikut të femrave për qëllime prostitucioni. Lajmin e bën të ditur Policia e Tropojës duke sqaruar se grupi kriminal në fjalë, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur për shkaqe hetimi, kanë shfrytëzuar si prostituta dy motrat nga Tepelena prej shumë vitesh. Ngjarja është zbuluar mbrëmjen e së shtunës, në pikën e kalimit të kufirit të Qafë-Morinës në Tropojë, ku për një nga vajzat u vërejtën parregullsi në dokumente. Motrat nga Tepelena, përkatësisht 27 dhe 25 vjeçe, po kalonin nga Shqipëria në Kosovë pas një qëndrimi disaditor. Më pas ato kanë deklaruar se jetonin në qytetin e Durrësit ku kanë ushtruar prostitucion. Të dyja motrat nga Tepelena janë ndaluar nga policia lokale, ndërkohë që tre tutorët kanë mundur të hyjnë në territorin e Kosovës. Ata janë shpallur në kërkim nga policia kurse materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë për veprime të mëtejshme.
Shoqëronte klandestinët, ndalohet i riu
KORÇË - Policia e Korçës ndaloi katër klandestinë që po tentonin kalimin ilegal të kufirit në drejtim të Greqisë, ndërsa arrestoi edhe trafikantin e tyre. Sipas burimeve zyrtare, shtetasi Mondi Hoxhallari është arrestuar me akuzën e “dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”. Ndalimi i të dyshuarve është bërë nga Sektori i Shërbimeve Operacionale në Drejtorinë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Korçës. Efektivët e këtij sektori kanë vënë në pranga të dyshuarin si udhërrëfyes i klandestinëve Mondi Hoxhallari, 29 vjeç, lindur e banues në fshatin Alarup të Pogradecit. Ai akuzohet se në afërsi të fshatit Zagradec, Devoll, është kapur në tentativë për kalim të paligjshëm të kufirit me shtetasit: D. Kasmollari, 23 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Homçan; F. Kapa, 19 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Çëravë; M. Hoxhallari 29 vjeç, lindur e banues në fshatin Alarup, të gjithë nga Pogradeci, si dhe B. Drizaj, 31 vjeç, lindur Çezmë dhe banues në fshatin Vashtëmi. Gjatë marrjes në pyetje është bërë e ditur se, D. Kasmollari ka deklaruar se do të ndihmohej për të kaluar kufirin nga i ndaluari Mondi Hoxhallari, pa ndonjë qëllim fitimi.
1 Qershor 2010