E Diel, 1 Nëntor 2026

Kur pushtetit i mungon e vërteta e domosdoshme



Nertila Marku

Pushteti ka për detyrë të mbrojë shoqërinë nga e cila lind. Ai as nuk jepet; as nuk këmbehet; as nuk rimerret përsëri, por ekziston si i tillë vetëm në aktin e ushtrimit të tij. Në vijimësi të këtij interpretimi “Foucul-ist”, shoqëria ka të drejtë dhe për detyrë të mbrojë zgjedhjen e saj. Në Shqipëri, gjatë 20-vjeçarit të fundit konstatoj se betejat e marrjes, mbajtjes apo rrëzimit të një qeverisjeje, - pra një pushteti, - të përkthyera në këtë rast analize në protesta dhe greva, kanë ruajtur parimin historik të funksionimit të shtetit.
Në ushtrimin rigoroz të një pushteti që konsiston kryesisht në zhvillimin ekonomik e më pas influencimin e këtij të fundit në proceset integruese, duke mbetur sërish tek e njëjta periudhë, Shqipëria ka dështuar në mënyrën më naive. Sigurisht që opinioni publik është bazë e fortë dhe, sidomos në raste dështimi të një qeverisjeje, mbetet arma kryesore për identifikimin e elementeve bazë të pakënaqësisë së qytetarëve. Në ligjërimet e liderëve tanë politikë, mund të vëmë re qartë mënyrën e sfidimit të kundërshtarit në format më të dobëta të një ligjërimi konstruktiv. Elementet e komunikimit për ta, shfaqen, mësë shumti, në trajtën e akuzave personale, duke filluar që nga dizenjimi i biografive të pemëve familjare deri tek mohimi i të vërtetave që ligji na i transmeton si absolute në llojin e tyre. Pra, paraqitja e një të vërtete, mungesa e argumenteve praktikë, dublohen mjerisht me motive që haptazi tregojnë mungesën e të vërtetës përkatëse. Për ta, lidhur me hipotezën time, kjo pasqyron shkëputjen e parë organike mes pushtetit dhe ligjit. Duke e ilustruar me një shembull konkret, kemi rastin e mazhorancës aktuale që pas 28 Qershorit vlerëson me deklarata të vazhdueshme si antikushtetuese disa kërkesa të opozitës, duke influencuar një publik heterogjen në pikëpamjen e kulturës politike apo juridike. Padyshim që në këtë pikë është e qartë tendenca e kësaj mazhorance për gjetjen ose krijimin e një të vërtete, sigurisht për ekuilibrimin e pushtetit në këtë periudhë lëkundjeje. E vërteta më e madhe në këtë mes është mungesa e një ligji në Kushtetutë që aprovon kontestimet e mazhorancës. Për të vijuar me një ilustrim më të drejtpërdrejtë, në rastin e Partisë Demokristiane, çfarë të vërtete mund të prodhonte mazhoranca për të justifikuar qëndrimet e saj të vazhdueshme ndaj PDK-së? Largimin e kësaj të fundit pa asnjë motiv nga qeveria, arrestimi i zyrtarëve të PDK-së si fasadë për luftë ndaj korrupsionit, marrja e pafajësisë së tyre dhe, madje, pozicionimi i njërit nga ata si kryetar i Dhomës së Tregtisë, përdorimi i pushtetit shtetëror për të nënshtruar PDK-në, kërcënimi dhe largimi nga puna i atyre që nuk bënin pazar me qeverinë në dëm të PDK-së, janë fatkeqësisht për qeverinë aktuale fakte që nuk njohin të vërteta tjera, për asnjë arsye më pak apo më shumë, por sepse nuk ka të tilla.
Në shoqërinë shqiptare, ligjërimet e përdorura për qëllime vërtetësie, janë shumë afeksionuese për qëndrimet e qytetarëve ndaj bindjeve ideologjike. Madje, për shkak se këto ligjërime ngulmojnë kryesisht tek identifikimet e së vërtetës, bindjet ideologjike përkthehen më shumë në bindje partiake.
Janë pikërisht këto ligjërime, shumëllojshmëria e tyre, që ka zëvendësuar rëndom punën e qeverisë; ato që i japin formë opinioneve e bindjeve partiake të shoqërisë shqiptare. Pra, rrjedhimisht, këtu dalim tek lloji i raportit pushtet-ligjërim, të cilat, siç vijon rrjedha logjike, përjashtojnë sistemin e drejtësisë. Mazhoranca, si pararojë e të vërtetave të saj, ka regjistruar dhe institucionalizuar çdo veprim me një kosto fatale: Degradimin e kulturës politike të shqiptarëve. Por, fatkeqësia më e madhe e kësaj të fundit është pikërisht produkti i shkeljes të së drejtës nga ana e pushtetarëve; pra, shkelja e ligjit duke e mohuar atë për qëllime të gjetjes së të vërtetave që iu nevojiten për mbajtjen e pushtetit. Mospranimi i këtyre të vërtetave nga ana e mbështetësve të ideologjisë mbi të cilën presupozohet se mbështeten ata pushtetarë, qoftë edhe gënjeshtër e pastër, gjykohet si heqje dorë nga X-parti apo krah politik. Ka ku të vejë më rëndë kjo shkelje që i bëhet bindjeve të shqiptarëve përballë zgjedhjes së të vërtetës së tyre dhe, për më tepër, të drejtës për ta pasur këtë të vërtetë? Në rastin e aktualitetit politik në vendin tonë, unë këtu hesht. Edhe kutitë heshtin, sepse janë të mbyllura për ta gjetur më te drejtë ketë të vërtetë, e ndërkohë që mazhoranca tenton të prodhojë të vërtetat e saj të radhës, të cilave në fakt tashmë iu mungon lënda e parë: manipulimi i mëtejshëm i qytetarëve.

1 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›