Konkursi për “Komisar”, vetëm 57 policë e “kalojnë klasën”
Artan CENA
TIRANË - Vetëm 57 oficerë policie kanë mundur që të kalojnë në testin e organizuar nga Policia e Shtetit. Burime nga uniformat blu kanë bërë të ditur se të shtunën, 600 uniforma blu nga i gjithë vendi i janë nënshtruar një testimi për rritjen në gradë të tyre për 80 vende të lira. Por, rezultati i tij ka qenë disi zhgënjyes. Nga ata mësohet se vetëm 57 oficerë policie kanë mundur që të marrin të drejtën e të kalojnë në fazën të dytë të konkursit për të marrë gradën e re, atë të komisarit. Konkursi është zhvilluar të shtunën që kaloi dhe kandidatët i janë nënshtruar një testi me pyetje nga puna e tyre e përditshme. Sipas të dhënave, konkursi ishte planifikuar të zhvillohej tri javë më parë, por u shty për ditën e shtunë për shkak të zhvillimeve politike që e kaluan policinë në gjendje gatishmërie.
Për të fituar gradën “Komisar” ishin regjistruar 600 nënkomisarë në të gjithë vendin. Burimet policore treguan se afërsisht 200 prej tyre janë nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Tiranës, ndërkohë që pjesa tjetër, afërsisht 2/3 e gjithë konkurrentëve, janë nga rrethet.
Konkurrentët
Sipas të dhënave, këta nënkomisarë vijnë nga funksione të ndryshme si specialistë në drejtoritë e qarqeve, specialistë në drejtoritë e kufirit dhe migracionit, por nuk mungonin edhe shefa postash policie apo specialistë në komisariate. Gjithashtu, në listë janë përfshirë edhe specialistë të strukturave të tjera, siç janë komandantë grupi në reparte speciale dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë, apo edhe përgjegjës turni. Të gjithë këta persona do të konkurronin për funksione që u përshtaten gradës “Komisar”, nga shef seksioni në drejtori qarku, komisariati, ose në drejtoritë e kufirit, e deri te zëvendëskomandantët në repartet speciale të policisë. Gjithashtu, kjo gradë u përshtatet funksioneve si shef i njësisë antieksploziv, shef i njësisë së negocimit, shef fluturimesh dhe komandant ekuipazhi. Siç është bërë e ditur, kandidatët fitues të këtij konkursi do t’u nënshtrohen dhe dy fazave të tjera dhe në fund do të shpallen fituesit përfundimtarë, të cilët marrin dhe gradën “Komisar”.
Vendet e lira
Burimet policore tregojnë se 600 oficerët do të konkurronin për gradë, pavarësisht se për “Komisar”, të lira janë vetëm 80 funksione. Nga të dhënat që ka nxjerrë personeli, aktualisht në të gjitha strukturat nuk ka vende të tjera të lira për gradën “Komisar”. Nëse nga rreth 600 nënkomisarë që do të konkurronin, do të kalonin mbi 80 oficerë, që automatikisht marrin gradën “Komisar”, atëherë ata do të qëndronin në pritje derisa të kishte një vend të lirë për ta. Burimet policore shpjegojnë se ata nuk mund të paguhen për gradën e re, pasi në polici, për çdo ngritje në gradë, rritet edhe paga, por do të vazhdojnë të paguhen me gradën e vjetër. Atyre do t’u njihet grada dhe paga e re vetëm pasi të gjendet funksioni i lirë për ta. Policia shpjegon se interesimi i lartë për gradën “Komisar” vjen edhe për shkak të rritjes së pagës.
Rritja në gradë me anë të konkurseve
Ky nuk është konkursi i parë i shtyrë gjatë kësaj kohe, pasi një tjetër konkurs është shtyrë në fillim të muajit maj. Siç bëhet e ditur, konkurse të tilla zhvillohen çdo vit me qëllim ngritjen e personelit në gradë dhe perfeksionimin e strukturave drejtuese të uniformave blu. Por, këtë vit, konkursi u shty dy herë pas protestave dhe grevës së organizuar nga deputetët e PS-së. Një efektivi policie i duhen të paktën dy vite punë që më pas të rritet një gradë.
1 Qershor 2010