ISHP: Të vaksinuarit nga A H1N1, shumë herë më pak nga sa parashikohej
Ndryshe nga çfarë ishte parashikuar, pas një bilanci të Institutit të Shëndetit Publik, numri i personave që kanë pranuar të vaksinohen në vendin tonë është shumë i vogël në krahasim me dozat e shpërndara në qendrat shëndetësore. Lajmi bëhet i ditur nga drejtori i ISHP, Alban Ylli i cili deklaroi se nga 9 mijë doza të shpërndara nëpër poliklinika vetëm 5 për qind e tyre janë përdorur. Kjo do të thotë se më pak se 400 persona kanë aplikuar vaksinën e AH1N1 në një
kohë kur virusi i gripit të derrit po rrit bilancin e viktimave. Me situatën e krijuar, kur kemi një numër kaq të vogël të vaksinuarish, shumë shpejt do të marrim një vendim ku të vendosim që të përfshijmë në kalendarin e vaksinimit gratë shtatzëna dhe të sëmurët kronikë në vend të personelit shëndetësor, pohoi Ylli. Këto kategori ishin menduar të vaksinoheshin në një fazë të dytë por me rezervat e mbetura nga refuzimi i kryerjes së vaksinës tek disa grupe duket se do të përfitojnë të tjerë persona. Sipas planit të vaksinimit të hartuar nga ISHP, në fazën e parë të vaksinimit të popullatës ishin përfshirë fëmijët e moshës 1deri në 6 vjeç,të sëmurët kronikë dhe personeli shëndetësor. Por që në ditët e para të nisjes së fushatës së vaksinimit u vu re një tërheqje e mjekëve ndaj vaksinës, ndonëse sipas ISHP ata ishin një kontigjent i rriskuar nga gripi i derrit pasi ishin në kontakt me të sëmurët. Aktualisht në të gjithë vendin numërohen rreth 418 persona të prekur nga gripi i derrit, por sipas ISHP numri mendohet të jetë më i madh pasi analizat u merren vetëm personave të prekur rëndë.
Last Updated on E Marte, 05 Janar 2010 23:22