Refuzohet vaksina, u përdorën vetëm 500 doza
Nga 10 mijë dozat e para të vaksinës kundër A/H1N1 të destinuara për personelin shëndetësor, vetëm 500 prej tyre kanë pranuar të vaksinohen. Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, thotë se shkak për këtë është bërë hezitimi i mjekëve dhe qytetarëve, por Ylli shpjegon se pavarësisht kësaj vaksinimi do të vijojë në ditët në vijim me kategoritë e tjera të rriskuara, siç janë edhe gratë shtatzëna.
Vaksinimi
Të gjendur para mosbindjes së personelit shëndetësor për kryerjen e kësaj vaksine, drejtori i ISHP-së thotë se mund të merret një tjetër vendim. “Është e vërtetë qe po përdoret pak nga grupet me prioritet. Nuk është çudi të marrim një vendim tjetër. Nëse personeli shëndetësor nuk do ta përdorë, atëherë do ta ofrojmë për grupet e tjera”.
Bazuar në situatën aktuale, specialistët dalin në përfundimin se pandemia është më e lehta që po kalojmë dhe sqarojnë se qarkullimit të virusit i kanë mbetur edhe më pak se dy muaj. Sipas Yllit, frika nga gripi i ri që po qarkullon, bëri që ashtu si në të gjitha vendet e botës, edhe Shqipëria të porosiste disa doza vaksinë për grupet e riskut. Por, pas një muaji që vaksina gjendet në poliklinika, bilancet tregojnë se ajo është refuzuar nga qytetarët.
Ndërkohë që përveç 10 mijë dozave të para të mbërritura, vendi ynë është në pritje edhe të dozave të tjera të porositura tashmë. Drejtori i ISHP-së thotë se në ditët në vijim do të vijnë edhe dozat e tjera të vaksinës kundër gripit pandemik.
Rastet
Ndërsa ditën e djeshme ka gjetur vdekjen një tjetër paciente e prekur nga virusi pandemik. Një grua 55-vjeçare e prekur nga A/H1N1, ka humbur jetën duke e çuar në dhjetë numrin e përgjithshëm të viktimave nga gripi i ri pandemik. 55-vjeçarja nga Fieri, e shtruar prej të paktën 8 ditësh në reanimacion në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, ishte obeze dhe vuante nga hipertensioni arterial. Ndërkohë, mësohet se bashkëshorti i saj ishte prekur më parë nga virusi A/H1N1, por është mjekuar tashmë është në gjendje të mirë shëndetësore. Viktima e parë nga virusi A/H1N1 u shënua në datën 3 dhjetor, në një pacient 57-vjeçar nga Sukthi. Pacienti, i hospitalizuar në Spitalin Universitar të Sëmundjeve Pulmonare "Shefqet Ndroqi", vuante prej shumë kohësh nga tumori i prostatës si dhe kishte kaluar dhe infarkt miokardi të një forme të rënduar. Sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik, numri i rasteve të konfirmuara të prekura nga virusi A/H1N1 në Shqipëri ka kaluar numrin 418. Mosha mesatare e rasteve të prekura në total është 23 vjeç. Shumica dërrmuese e rasteve janë konfirmuar në Tiranë, por vihet një shpërndarje më e madhe gjeografike sa i takon rretheve të prekura. Ministria e Shëndetësisë përsërit apelin drejtuar qytetarëve, që t’i nënshtrohen sa më shpejt vaksinimit kundër virusit pandemik.