E Diel, 1 Nëntor 2026

ISHP jep alarmin, 1 mijë raste në muaj me sëmundje seksualisht të transmetueshme

Të rinjtë, mosha më e prekur e sëmundjeve seksuale
Sëmundjet seksualisht të transmetueshme po përbëjnë një kërcënim të madh për shoqërinë tonë. Mosinformafcioni i theksuar si dhe metodat tradicionale po shkaktojnë probleme të shumta me përpahjen e infeksioneve dhe sëmundjeve seksualisht të transmetueshme. Më të rrezikuarit dhe të prekurit nga këto sëmundje janë të rinjtë, sidomos studentët. Instituti i Shëndetit Publik bëri të ditur dje se në vendin tonë shënohen rreth 1000 raste të reja të prekurish nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Ndërsa mjekët infeksionistë theksojnë se të gjithë duhet të marrin masa mbrojtëse gjatë kontakteve seksuale, pasi infeksionet që transmetohen nga këto kontakte janë shumë të rrezikshme. "Merrni masa mbrojtëse, përdorni kondomët (prezervativët), pasi ju shpëtojnë nga infeksionet seksualisht të transmetueshme dhe nga ndonjë shtatzëni e paplanifikuar", - theksojnë specialistët e shëndetit publik.
30 të infektuar në ditë
Çdo muaj shënohen 1 mijë raste të reja të sëmurësh nga kontaktet seksuale, që i bie mesatarisht rreth 30 raste në ditë. Mjekët e sëmundjeve infektive deklarojnë se këto tipa virusesh po përhapen me shpejtësi në popullatë. "Një pjesë e popullsisë është e prekur nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Sifilizmi qarkullon në vendin tonë, herpes virusi qarkullon gjithashtu, por edhe HIV-AID-si qarkullon në Shqipëri- ka pohuar shefja e Departamentit të Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino, duke shtuar se për fat të keq, tashmë këto infeksione janë vërtet shqetësuese për shëndetin e popullatës. Ndërkohë, mjekët deklarojnë se një rrezik në rritje është edhe shpërthimi i epidemive nga viruse të harruara prej vitesh. Së fundmi, specialistët kanë izoluar ethet e Napolit në qytetin e Lezhës, një virus që përhapet nga mushkonjat, por që për fat të mirë nuk ka filluar transmetimin përmes njerëzve. Të ndodhur përballë kësaj problematike, specialistët e shëndetit publik kanë kërkuar nisjen e depistimeve për të evidentuar të prekurit dhe për të evituar përhapjen në masë të këtyre sëmundjeve.
Studentët dhe adoleshentët më të prekurit
Infeksionet seksualisht të transmetueshme po përhapen sidomos tek të rinjtë, pasi ata kanë aktivitet seksual më të lartë se grupmoshat e tjera. Studentët, sipas specialistëve të shëndetit publik, mbajnë vendin e parë në listën e zezë për sëmundjet seksualisht të transmetueshme. "Shumica e tyre nuk marrin masa mbrojtëse me kondom (prezeravtiv) gjatë kontakteve seksuale. Problem është edhe fakti se ata kryejnë marrëdhënie seksuale me partnerë të ndryshëm dhe kjo e bën akoma më rënduese situatën",- theksojnë specialistët e shëndetit publik.
Të rinjtë duhet të përdorin masa mbrojtëse ndaj SST-ve
Adoleshentët kryejnë marrëdhënie seksuale dhe jo të gjithë marrin masa mbrojtëse ndonëse këshillohen nga mjekët. Këtë këshillojnë mjekët specialistë për të gjithë të rinjtë. Sipas tyre të rinjve u mësohen 3 shtyllat bazë për t'u mbrojtur nga infeksionet seksualisht të transmetueshme. A-ja është abstinenca që do të thotë se adoleshentët duhet të shtyjnë sa më shumë kohën kur duhet të fillojnë të bëjnë seks. Ata duhet ta shtyjnë këtë kohë deri kur të jenë të bindur se janë të pjekur për të realizuar një hap të tillë.
Ndërsa shtylla e dytë, B-ja, është besnikëria ndaj partnerit, element ky tepër i
rëndësishëm për të patur një aktivitet seksual sa më të sigurt. Dhe shtylla e tretë është C-ja, që është kondomi (prezervativi), i cili ul rrezikshmërinë e transmetimit të infeksioneve seksualisht të transmetueshme. Ndërkohë, mjekët theksojnë se gjatë konsultave me të rinjtë, atyre u rekomandohet që, nëse ndonjëri nga ata diagnostikohet me ndonjë infeksion seksual, atëherë mjekimi duhet të bëhet edhe nga partneri, madje edhe nëse ata janë ndarë, është mirë t'i bëjnë me dije se duhet të marrim mjekimin. Kjo, sipas mjekes, për faktin se infeksionet seksualisht të transmetueshme janë njësoj si të hedhësh një gur në ujë, që do të thotë se, nëse e ka njëri këtë infeksion, do ta ketë çdo person që kryen marrëdhënie seksuale me të infektuarin, po qe se ato nuk marrin masa mbrojtëse.
Ndërkohë, ajo theksoi se infeksionet janë të ndryshëm dhe disa prej tyre tepër të rrezikshëm, siç janë infeksionet virale, si virusi HIV, hepatitet, etj., pasojat e të cilëve dihen tashmë. Ndërsa sa u takon viruseve bakteriale, mjekja pohon se mjekohen më lehtë dhe mund të shërohen. Mjekët theksojnë se, tashmë dihet se adoleshentët kryejnë marrëdhënie seksuale, pasi këtë informacion e kemi edhe nga gjinekologët, të cilët i diagnostikojmë me infeksione seksualisht të transmetueshme dhe ndonjëherë kryejnë ehe aborte. E rëndësishme është që të marrin masa mbrojtëse dhe të jenë më të përgjegjshëm për marrëdhëniet që kryejnë.
USAID: Masat mbrojtëse të rëndësishme
Mjekë, farmacistë dhe studentë, të gjithë të angazhohen për të ndryshuar sjelljet që pengojnë përdorimin e kontraceptivëve. Ky është programi i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillimin Ndërkombëtar (USAID) në Shqipëri, i cili ka iniciuar programin "Komunikimi për Ndryshim e Sjelljes në Planifikimin Familjar", ose i njohur ndryshe si "C-Change FP in Albania". Drejtuesja e këtij programi, kanë pohuar se është shumë e rëndësishme që shqiptarët të përdorin metodat kontraceptive, pasi kjo është mënyra më e mirë për të evituar një shtatzëni të paplanifikuar, e cila mund të sjellë aborte ose fëmijë që përfundojnë në befotrof. Sipas tyre, shumë nga çiftet bazohen kryesisht në metodat tradicionale, të cilat nuk janë shumë të besueshme, ashtu siç janë metodat bashkëkohore kontraceptive. Kjo mungesë informacioni, po sipas saj, ndikon në nivelin e ulët të ndërgjegjësimit dhe besimit në metodat bashkëkohore të kontracepsionit.

Last Updated on Sunday, 21 June 2009 20:12

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›