E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISKSH: 28 pajisje të reja për çdo poliklinikë brenda muajit



Brenda këtij muaji të gjitha poliklinikat e vendit do të jenë të pajisura me një set të ri prej 28 pajisjesh. Këto pajisje të reja do të ofrojnë ekzaminime që nuk janë kryer deri tani në qendrën shëndetësore. Drejtorja e Institutit të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana, dje në qendrën shëndetësore numër dy në Tiranë deklaroi se pajisjet do t’u vinë në ndihmë mjekëve të familjes që të diagnostikojnë më hershëm sëmundjet e syve, veshëve dhe ndjekjen e pacientëve që vuajnë nga sëmundjet kronike.

Ekzaminimet

Me paketën e re të ekzaminimeve poliklinikat do të ofrojnë shërbim me mjete brenda kërkesave te higjienës. Kështu, duke nisur që nga vaksinat, si pjesë e punës se përditshme do të mbahen në frigoriferë të rinj portalë. Një nga pikat më të rëndësishme të projektit të Bankës Botërore ka të bëjë me pajisjen me aparaturën për të sëmurët me zemër si dhe pajisjen e laboratorëve. Ndërsa mjekët specialistë janë pajisur me EKG për të diagnostikuar të sëmurët kardiologjikë brenda qendrës.

“Për të gjithë atë paketë shërbimesh që mjeku i familjes e jep ndaj pacientit qendrat shëndetësore do të pajisen brenda muajit, në të gjithë republikën për të dhënë dhe janë të gatshme që ta japin këtë paketë”, - tha Hana. E ndërkohë vetë mjekët që punojnë në këto qendra, thonë se aparaturat e reja që janë vendosur, nuk do t’i detyrojnë më qytetarët që të presin përpara poliklinikave të specialiteteve për të bërë një analizë.

“Ekzaminimet laboratorike mbulohen nga qendrat shëndetësore. Gjithashtu, laboratorët e QSH-së janë pajisur me fotometër, autoklavë dhe centrifugë për të ofruar një gamë më të gjerë analizash për pacientët”. Duke folur për pajisjet laboratorike, si një ndër më kryesoret, drejtorja e qendrës shëndetësore nr. 2 në Tiranë, znj. Liljana Ramasaço, tha: “Me to do të kryhen të gjitha ekzaminimet e nevojshme për pacientët. Pacienti duhet të ekzaminohet qoftë për shëndetin e tij, por këto ekzaminime janë të domosdoshme edhe për të plotësuar kartelën e të sëmurit dhe për të marrë ato medikamente që atij i nevojiten”. Deri tani, sipas saj, këto ekzaminime janë kryer në klinika të tjera, në qendrat e specialiteteve, pasi në qendrat shëndetësore deri tani ka ekzistuar laboratori kimik. Me kryerjen e këtyre ekzaminimeve laboratorike në qendrat shëndetësore, pacienti do ta mbyllë ciklin brenda qendrës shëndetësore.

Pajisjet

Sipas znj. Ramasaço, falë pajisjeve të reja do të kemi një cilësi më të mirë shërbimi, analizat do të kryhen në një kohë më të shkurtër si dhe do të ketë shtim të analizave biokimike (7-8 të tilla) që më parë nuk kryheshin në qendër. Qendra shëndetësore nr. 2 kryen rreth 50 ekzaminime laboratorike në ditë për fëmijët, gratë shtatzëna etj. për të gjithë popullsinë që mbulon me shërbim shëndetësor kjo qendër. Ndërsa me këto pajisje të reja pritet që numri i tyre të arrijë në rreth 70 analiza në ditë.

Nr. Pajisjet

1 Aparat për matjen e presionit të gjakut

2 Mbajtës i lëvizshëm për I.V.

3 Peshore për fëmijë

4 Gleukometër

5 Pjatë peshoreje

6 Mbajtëse për pajisjet e mikrokirurgjisë

7 Ndriçues (për kontrollin e fytit)

8 Pelvimetër

9 Çekiç neurologu

10 Aparat reanimimi manual për fëmijë

11 Peshore dhe gjatësi matës për të rritur

12 Gërshërë

13 Stetoskopë

14 Stetoskop fetal

15 Metër

16 Termometër (aksilar)

17 Termometër (oral/rektal)

18 Matës kohe, mekanik

19 Ulës për gjuhen

20 Mbajtës vaksinash

21 Tabela për testimin e shikueshmërisë

22 Otoskop / oftalmoskop

23 Sterilizues

24 Frigorifer i lëvizshëm për mbajtjen e vaksinave

25 EKG

26 Autoklavë

27 Fotometër (për analiza biokimike)

28 Centrifugë

MASH

Konkurrim publik për tekstet shkollore në gjuhë të huaj

Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka shpallur dje konkurrimin publik për përzgjedhjen e shtëpive botuese që do të prodhojnë dhe shpërndajnë tekste të huaja në gjuhë të huaja në shkollat shqiptare. “Komisioni i Miratimit të Teksteve Shkollore pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës shpall konkurrimin publik për shtëpitë botuese që do të dëshirojnë të prodhojnë dhe shpërndajnë në shkollat shqiptare për vitin shkollor 2009-2010 tekstet e huaja, të gjuhëve të huaja nga klasa e tretë deri në klasën e dymbëdhjetë”, – bën të ditur ministria. Afati kohor për hapjen e ofertave me tekstet përkatëse në konkurrimin publik do të jetë data 9 qershor 2009, ora 10:00, në MASH, në sallën e mbledhjeve. Oferta dhe të gjitha dokumentet e kërkuara (përveç tekstit, i cili duhet të jetë në gjuhën përkatëse të huaj) duhet të përgatiten në gjuhën shqipe. “Për informacione të mëtejshme rreth paraqitjes së ofertave të interesuarit t’i drejtohen Komisionit të Miratimit të Teksteve Shkollore pranë MASH ose të vizitojnë faqen e internetit të MASH www.mash.gov.al”, – këshillon ministria. Me sistemin e Altertekstit për një libër në gjuhë të huaj mund të ekzistojnë deri në tri variante për secilin vit shkollor.

Gripi i derrit

Më shumë se 19 mijë të prekur në 66 vende

Numri i vendeve të prekura nga virusi A (H1N1) ka arritur dje në 66, nga 53 që ishte ky numër në fund të muajit maj (sipas raportimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë të datës 29 maj).

Bazuar në të dhënat e OBSH-së, sipas raportimit të fundit të OBSH-së (3 qershor), numri i rasteve të prekura me këtë virus është 19.273 (nga 15.510 në 29 maj). Nga këto, 117 janë raste me vdekje, duke përfshirë dhe 2 raste vdekjeje të reja.

Meksika, vendi ku dhe u shfaq rasti i parë me virusin A (H1N1), është dhe më i prekuri, me 97 të vdekur. Numri i të prekurve në Meksikë nga ky virus në tërësi është 5029, ndërsa nuk ka raste te reja.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë konfirmuar deri tani 10.053 raste në tërësi, nga të cilat 17 vdekje. Për rajonin e Ballkanit të dhënat e fundit nga OBSH-ja flasin për 5 raste të konfirmuara me virusin A (H1N1), në Greqi, një prej të cilëve rast i ri.

Shqipëria nuk është prekur nga ky virus, ndërkohë që janë marrë të gjitha masat shëndetësore për përballimin e ndonjë situate të mundshme, në zbatim të rekomandimeve të OBSH-së.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›