Porto-Romano, si do të zhvillohet zona energjetike
Porto-Romano, vendi ku parashikohet të ndërtohet një nga zonat më të zhvilluara industriale në Shqipëri, do të kthehet në një të ardhme të afërt në vendin ku do të prodhohet energji, ku do të realizohen projekte të rëndësishme në energjetikë, që do të kenë infrastrukturën e përshtatshme dhe gjithë parametrat për të zhvilluar biznesin në shumë dimensione. Tashmë KRRTRSH-ja ka miratuar prej kohësh studimin “Zhvillimi i integruar (në Sinergji) i Zonës Energjetike dhe Industriale të Porto Romano - Durrës, infrastruktura dhe konturet e saj” dhe ai mbetet të realizohet, pasi të miratohet nga institucionet përkatëse dhe t’i jepet leja e zhvillimit të tij. Në studimin e kryer janë përfshirë të gjithë komponentët, duke nisur nga të dhënat e përgjithshme gjeologoinxhinierike të rajonit bregdetar të Porto-Romanos dhe të zonës përreth, si dhe kondicionet teknike të objekteve të mundshme energjetike. Po kështu, janë parashikuar projektet në zonën energjetike dhe industriale, si dhe urbanistika dhe infrastruktura që do të jenë pjesë e zonës industriale. Brenda tij është përfshirë dhe studimi për mjedisin dhe efektet që do të kenë projektet, impiantet e pastrimit etj. Në prill të këtij viti, nga studimi i kryer nga kompania “Enel” për ndikimet që do të ketë në mjedis TEC-i me qymyr, që do të ngrihet në Porto-Romano, është diskutuar në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese. Në këtë mbledhje të komisionit parlamentar, ambientalistët kanë kërkuar se përpara se të merret nga qeveria vendimi për realizimin e këtij projekti, të shqyrtohet edhe studimi oponent që është kryer nga një agjenci evropiane e specializuar. Përfaqësuesit e Ministrisë së Energjetikës dhe ata të Mjedisit kanë deklaruar se ende nuk është marrë një vendim për projektin e TEC-it në Porto-Romano. Kjo, edhe pse zona konsiderohet si më e përshtatshmja për ndërtimin e këtij burimi të ri të energjisë, për shkak të afërsisë së Porto-Romanos me portin e Durrësit, me linjat 400 kilovolt të interkonjeksionit dhe me rajonin Tiranë-Durrës që është një ndër konsumatorët më të mëdhenj të energjisë.
Qëllimi i këtij studimi është që nëpërmjet realizmit të projekteve të zbatohen politikat e qeverisë për një zhvillim të integruar dhe eficent të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë, në funksion të rritjes ekonomike dhe të nivelit të jetesës.
Nëpërmjet tij synohet vlerësimi i situatës aktuale dhe perspektiva në import-eksportin e nënprodukteve të naftës në rrugë detare, në portet aktuale dhe në dy zonat ku po ndërtohen terminalet bregdetare të nënprodukteve të naftës, kërkon hartimin e projekteve zhvilluese të integruara. Në të përfshihet situata në sektorin energjetik dhe domosdoshmëria e importeve për produktet energjetike kryesore. Po ashtu, synohet përmirësimi i infrastrukturës së transportit për burimet energjetike, domosdoshmëri për të garantuar furnizim të sigurt të sektorëve të ekonomisë. Zhvillimi i projekteve të infrastrukturës për përfshirjen e Shqipërisë në korridoret rajonale të transportit rrugor dhe hekurudhor, si dhe të linjave të interkonjeksionit me energjinë elektrike, naftësjellësit dhe gazsjellësit. Në të parashikohet domosdoshmëria për zhvillimin e komplekseve të përqendruara të objekteve energjetike dhe industriale në zonat që janë përzgjedhur për ndërtimin e terminaleve bregdetare të naftës. Realizimi i këtij projekti madhor synon përcaktimin e Zonës Energjetike dhe Industriale të Porto-Romanos, në një nyje të metropolit ekonomik shqiptar, si dhe të korridoreve të infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore rajonale.
TEC-i i ri, me kapacitet 300-500 MW
TEC-i i propozuar është me një fuqi të instaluar 300-500 MW. Teknologjia e propozuar është ajo e ciklit të kombinuar me dy njësi, secila me një fuqi 250 MW dhe fuqi totale 500 MW. Investimi fillestar 325 milionë USD. Vendi për ndërtimin është në veri të zonës EN dhe IND me një sipërfaqe 16 ha. Kjo fuqi do të bëjë të mundur balancimin e HEC-eve dhe TEC-eve të sistemit tonë. Teknologjia e zgjedhur garanton emetimet e lejuara në atmosferë sipas standardeve ndërkombëtare. Transmetimi nga rrjeti transmetues i një fuqie prej 500 MW kërkon të fuqizohet rrjeti i transmetimit në rajonin e Porto-Romanos.
Impianti i përpunimit të bio-lëndëve djegëse
Linja për prodhimin e biokarburanteve që mund të instalohet në zonën energjetike dhe industriale të Porto-Romanos mund të ketë fillimisht një kapacitet prej 40.000 - 60.000 ton në vit, por në vartësi të zhvillimit të tregut për këto produkte kapaciteti mund të rritet deri në 200.000 ton në vit. Sipërfaqja e nevojshme për impiantin (rafinerinë) e prodhimit të biokarburanteve së bashku me depozitat për lëndën e parë dhe rezervuarët e depozitimit të produktit të gatshëm, mund të shkojë për fazën e parë deri në 10 ha, ndërsa në një fazë të dytë zhvillimi deri në 15 ha.
Impianti i pastrimit dhe i sigurisë së zonës
Për sa i përket sigurisë dhe mbrojtjes së mjedisit, do të ndërtohet impianti i pastrimit dhe i sigurisë së zonës, me këto tipare: ujërat bardha, të cilat potencialisht mund të ndoten me naftë, do të mblidhen dhe dërgohen në një impiant trajtimi fizik e kimik, me qëllim që të plotësojnë standardet cilësore për ujërat që derdhen në ambient. Në veçanti, do të ketë një impakt pozitiv në drejtim të ujërave nëntokësore, si pasojë e shtrimit me beton ose asfalt të pjesës më të madhe të shesheve të objekteve, gjë që do të shërbejë si kapsulim. Kjo do të ulë në minimum depërtimin e ujërave sipërfaqësore (të shirave) në rrjetin e ujërave nëntokësore. Do të shfrytëzohet infrastruktura ekzistuese e kanalit të hidrovorit për dërgimin në det të ujërave të pastruara nga Impianti.
Zhvillimi i rrjetit elektrik të zonës
Zona energjetike dhe industriale e Porto-Romanos për fuqizimin e tij kur në të është parashikuar të ndërtohet TEC dhe rafineri, do të ishte më e përshtatshme lidhja e tyre në rrjetin 400 kV. Në kushtet e rrjetit tonë kjo duhet kombinuar me një transformim 400/220 kV, për lidhje edhe në rrjetin 220 kV. Marrja në konsideratë e linjës së TN 400KV Elbasan-Tiranë-Podgoricë, Tiranë-Prishtinë, si dhe ndërtimi i Qendrës së Re Dispeçer. Konkretisht, për lidhjen me rrjetin e sistemit të transmetimit të një TEC-i me kapacitet 300-500 MW, i ndërtuar në zonën e Porto-Romanos, sipas një skeme të sigurtë dhe të manovrueshme, do të duhej të ndërtoheshin objektet e mëposhtme:
- Linja 400 kV Tiranë 2- TEC P.Romano, me përcjellës 2xACSR 490 mm2, rreth 25 km e gjatë; Linja 220 kV me dy qarqe me përcjellës ACSR 490 mm2 Rrashbull- TEC P.Romano, rreth 12 km e gjatë; Demontimi i linjës ekzistuese 220 kV Tirana2 – Rrashbull dhe ndërtimi i linjës 220 kV me dy qarqe, me përcjellës ACSR 490mm2 (deri në pikën e takimit me linjën 220 kV Rrashbull- TEC P.Romano), rreth 20 km e gjatë; Ndërtimi i N/st 400/220 kV pranë TEC P.Romano, i pajisur me dy autotransformatorë me fuqi 250 MW secili.
Paraprakisht gjykohet që ngarkesa maksimale e të gjithë zonës industriale energjetike për fazën e parë të jetë e rendit 10-12 MW. Investimet e përgjithshme në këtë rast, duke përfshirë dhe ato për përforcimin e rrjetit të transmetimit (si në rastin e mësipërm), do të ishin rreth 2.7 miliardë lekë.
Ndërtimi gjeologjik i rajonit Porto Romano-Bisht Pallë
Zona e Durrësit nga pikëpamja gjeologjike bën pjesë në Ultësirën Paramalore (Pranadriatike) pjesën perëndimore të buzines lindore të saj, kjo zonë është e prekur dhe vazhdon të preket nga lëvizjet ngjeshëse pas-pliocenike. Ndërtimi gjeologjik i rajonit Porto Romano – Bisht Pallë është e ndërtuar kryesisht nga shkëmbinjtë konglomeratikë e ranorë të pjesës së poshtme të Pliocenit dhe nga ranore shtresor të Mesinianit, ndërsa zonat fushore ndërtohen kryesisht nga argjila të Pliocenit dhe pjesa sipërfaqësore ndërrohet nga depozime të pakompatesuara të Kuaternarit. Në vartësi të këtyre tipareve gjeo-morfologjike është edhe batimetria e fundit të detit të rajonit.
Nga pikëpamja sizmotektonike zona në studim bën pjesë në brezin tërmetor joniko-adriatik. Zona në studim, Durrës-Tiranë bën pjesë në brezin e fuqishëm tërmetor joniko-adriatik, brezi më sizmik i vendit tonë. Formacionet e ndryshme shkëmbore që takohen në këtë zonë, nga pikëpamja hidrologjike formojnë pellgun ujëmbajtës të rrjedhjes së poshtme të lumit Erzen.