E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISKSH, 300 mijë pacientë të siguruar gjatë 2009-ës

Autori i Lajmit: Redaksia

Rritet kërkesa për të përfituar shërbimin shëndetësor falas në poliklinika. Vetëm për vitin 2009, 296 mijë persona janë paraqitur në qendrat shëndetësore në mbarë vendin për të hapur librezën e shëndetit që u siguron, vizita falas dhe medikamente me rimbursim. Kjo shifër u bë publike nga drejtoresha e ISKSH, Elvana Hana, gjatë analizës vjetore. Po ashtu gjatë vitit që lamë pas vërehet edhe zbatimi i sistemit të referimit, për pasojë vetëm gjatë muajit dhjetor numri i pacientëve që janë vizituar nga mjeku i familjes në shkallë vendi është 55 142 persona. “Vetëm gjatë 3 muajve të fundit, janë hapur 125 mijë libreza të reja në shkallë vendi, ndërsa në total gjatë vitit 2009 janë hapur 296 mijë libreza të reja. Kjo shifër tregon për një rritje të konsiderueshme të përfitimit të pacientëve nga skema e sigurimeve shëndetësore, pasi në një vit janë hapur 100 mijë libreza të reja më shumë krahasuar me vitin 2008”, tha Hana.
Bonusi për mjekët
Sa i takon rajonit të Tiranës, kjo rritje e numrit të librezave të reja përbën rreth 133 %, gjë që tregon se skema e sigurimeve është bërë më e prekshme për një numër më të madh banorësh. Ndërsa lidhja e pagesës së mjekut me performancën në punë (10% shtesë mbi pagën për numrin e vizitave të kryera) ka bërë që gjatë vitit 2009 të rritet numri i vizitave te mjeku i familjes dhe ai specialist duke arritur në 1.309.860, me një rritje prej 5% krahasuar me vitin 2008. Pagesa bonus e mjekut, e cila u jepet qendrave shëndetësore për cilësinë e shërbimit ndaj pacientëve, ka pësuar një rritje të ndjeshme krahasuar me vitin 2008. Në vitin 2009 krahasuar me vitin 2008 pagesa për bonus e mjekëve rezulton 44 % për vitin 2008 dhe 73 % për vitin 2009.
Sëmundshmëria në rajonin e Tiranës
Rimbursimi i barnave është përqendruar tek sëmundshmëria kronike. Akutet përbëjnë 2 % dhe kronikët 98 % të vlerës së rimbursimit. Për vitin 2009, janë regjistruar 11.419 raste të reja me një efekt rimbursimi 90 milionë lekë. Shtatë grupet më të mëdha të sëmundshmërisë kronike zënë 95% në totalin e sëmundjeve të rimbursimit. Nga pikëpamja e strukturës së sëmundshmërisë diagnozat më të rimbursuara janë: sëmundjet e sistemit kardiovaskular, psikozat skizofrenike, astma bronkiale, epilepsi, insuficiencë kronike e veshkave, glaucoma etj.

Rimbursimi sipas sëmundjeve

1. Sëmundshmëria kardiovaskulare 42.3 % të rimbursimit
2. Sëmundshmëria endokrine 13.2 % të rimbursimit
3. Sëmundshmëria respiratore 8.7 % të rimbursimit
4. Sëmundshmëria mendore 13.0 %
5. Sëmundshmëria SNQ, shqisat 7.2 %
6. Sëmundshmëria tumorale 6.6%
7. Sëmundshmëria urogenital 4.3 %
Ky lajm është publikuar: 03/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›