Meidani dhe Xhufi: Regjistrimi mbi baza etnike e fetare është antikushtetuesNga TemaG99 organizoi sot në ambientet e hotel Tirana International një tryezë të rrumbullakët në lidhje me regjistrimin e popullatës në bazë feje dhe përkatësie etnike. Të
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Meidani dhe Xhufi: Regjistrimi mbi baza etnike e fetare është antikushtetuesNga TemaG99 organizoi sot në ambientet e hotel Tirana International një tryezë të rrumbullakët në lidhje me regjistrimin e popullatës në bazë feje dhe përkatësie etnike.
Të ftuar në këtë aktivitet ishin ish-presidenti i Republikës Z. Rexhep Meidani, historiani dhe politikani Pëllumb Xhufi, analisti Mentor Nazarko si dhe Milva Ekonomi, përfqësuese e institutit Agenda dhe ish-drejtore e INSTAT, etj.
Në fjalën e hapjes drejtuesi i G99 Erion Veliaj tha se përvec oponencës së gjerë që regjistrimi me baza etnike dhe fetare ka hasur, ka gjithashtu shumë pikëpyetje mbi INSTAT dhe aftësinë e tij për të realizuar këtë regjistrim objektivisht pas deklaratave kundërshtuese që ky institucion ka bërë në një kohë të shkurtër mbi rritjen ekonomike në Shqipëri.
Drejtuesi i G99 tha gjithashtu se përderisa regjistri themeltar kombëtar i ka këto të dhëna nuk është e nevojshme të dublohet ky informacion.
Ish-presidenti Meidani foli për elementet subjektive që shfaqen ndërsa flitet për përkatësi fetare e etnike me anë vetëdeklarimi. Sipas tij vetëdeklarimi nuk i shërben të vërtetës, pasi përgjigjet e pyetësorit duhet të jenë objektive e të provuara. Pyetësori actual, sipas Meidanit, le mënjanë disa parime të rëndësishme si homogjenizimi i popullsisë.
Në fjalën e tij historiani Pëllumb Xhufi tha se ligji për regjistrimin kundërshton frymën e kushtetutës shqiptare, e cila është kundër diskriminimit dhe ndarjes së popullsisë me baza etnike e fetare. Xhufi tha gjithashtu që kjo ndërmarrje, e nisur në mënyrë të papërgjegjshme nga qeveria shqiptare, rrezikon të kompromentojë marrëdhëniet me fqinjët siç ka ndodhur me nisma të tjera të dështuara të qeverisë Berisha.
Analisti Mentor Nazarko theksoi se asnjë ligj apo konventë ndërkombëtare nuk jep një përkufizim të qartë për etnicitetin, ndërsa cështja e regjistrimit nuk është vetëm një çështje shqiptare, por prek gjithashtu edhe fqinjët. Për Nazarkon, koncepti i përkatësisë etnike e fetare është subjektiv dhe ai prek në mënyrë të veçantë dy kategori civile me status të veçantë, emigrantët dhe fëmijët, të cilët si pasojë e dyshtetësisë apo interesave ekonomike mund të pasqyrojnë të dhëna të pavërteta.
Nga ana e saj Milva Ekonomi tha se regjistrimi i popullsisë është një proces i vështirë, i kushtueshëm dhe të dhënat që pritet të prodhohen nga ai rrezikojnë të jenë të papërdorshme nëse pyetjet nuk marrin përgjigje cilësore. Procesi i regjistrimit është mjet tepër i rëndësishëm për Shqipërinë për të lejuar në të elemente subjektive sic është vetëdeklarimi.