Matura 2010, ndryshimet në formularin A2
Autori i Lajmit: Entela Duraj
Të gjitha provimet e Maturës Shtetërore 2010 do të mbyllen brenda muajit qershor. Drejtoritë e MASH dhe Drejtoritë Rajonale synojnë që provimi i fundit me zgjedhje të zhvillohet në ditët e fundit të qershorit, në mënyrë që përgjigjet të jenë në mes të korrikut dhe formulari A2 të plotësohet duke pasur në dorë të katër notat e provimeve dhe mesataren. Pesha e mesatares nuk do të jetë më shumë se 20 %, ashtu sikurse ishte edhe një vit më parë. Ndryshimi do të konsistojë në mbylljen e provimeve më herët, në fund të qershorit. Pra sipas vendimit të MASH, plotësimi i formularit A2 nga maturantët këtë vit do të bëhet pasi ata të kenë përfunduar tërësisht provimet. Në këtë mënyrë, kur të përfundojnë provimet e detyrueshme të maturës dhe studentët të kenë mësuar sasinë e pikëve të grumbulluara, do t’u jepet në dorë formulari për t’u plotësuar. Megjithatë, maturantët duhet të kenë kujdes në plotësimin e këtij formulari, pasi një gabim i vogël që ata mund të bëjnë rrezikon skualifikimin. Për sa i përket përmbajtjes formulari nuk do të ndryshojë nga viti i kaluar, por do të përmbajë degët e fakulteteve, ndërkohë që maturantët do të listojnë preferencat. Formulari A2 shërben vetëm për ata studentë që dëshirojnë të vazhdojnë studimet e larta në një nga 12 universitetet publike në vend, duke përjashtuar Akademinë e Arteve dhe Akademinë e Sporteve. Në këtë mënyrë, kush dëshiron të kandidojë për në shkollat private, universitetet jashtë vendit ose dy akademitë, nuk ka përse të plotësojë formularin A2 dhe të japë lëndët me zgjedhje. Formulari përmban të dhënat e nxënësve që kanë marrë provimet e detyruara, me notën mesatare dhe përzgjedhjen e degëve të shkollave të larta ku dëshiron të studiojë dhe së bashku me të publikohet edhe udhëzuesi i formularit që përmban informacion praktik për mënyrën e plotësimit. Regjistrimi i çdo kandidati për provimin me zgjedhje konsiderohet i plotë, në qoftë se krahas plotësimit me saktësi të çdo të dhëne të kërkuar, formularit A2 i bashkëngjitet mandatarkëtimi origjinal që vërteton pagesën e tarifës së Maturës Shtetërore. Formulari A2 pranohet vetëm i shoqëruar me mandatarkëtimin, përcakton Rregullorja e Maturës Shtetërore. Leximi i formularit do të bëhet në mënyrë elektronike, ndaj maturantët duhet të kenë kujdes kur ta plotësojnë. Një gabim i vetëm e bën të pavlefshëm atë. "Studiojeni, konsultohuni, provoni në fotokopje dhe vetëm pasi të jeni të bindur, plotësoni origjinalin", këshillohet në udhëzimin e MASH. Sipas tyre, maturantët do të shpallen fitues vetëm në një program studimi, sipas pikëve të mbledhura. Të dhënat për nxënësin do të merren nga plotësimi i formularit Al. Në krye të formularit A2, është sigla e Pranimeve 2009 në Arsimin e Lartë përmes parimit Meritë-Preferencë (MeP), emri i shkollës, rrethi, qyteti ose fshati, numri i identifikimit të shkollës dhe në të djathtë ID e maturantit. Në pjesën e majtë është vendosur Emri, Atësia dhe Mbiemri i nxënësit, si dhe datëlindja e tij. Ky konceptim tregon që askush nuk mund të marrë një Formular A2, që nuk i përket atij. Poshtë emrit të maturantit është vendosur Nota Mesatare, e cila duhet plotësuar me shifra dhe me fjalë.
Udhëzimi i ri
Me afrimin e Maturës Shtetërore të këtij viti shkollor, strukturat arsimore po përgatisin udhëzimin e ri për procesin e provimeve të maturantëve, si dhe përgatitjen e formularëve përkatës të aplikimit. Njëri prej këtyre formularëve është A2, i cili përmban preferencat e maturantëve për pranimin në institucionet e arsimit të lartë. Preferencat e maturantëve do të përcaktojnë edhe pranimet në universitete për vitin e ardhshëm akademik, të cilat do të listohen në formularin A2 sipas rendit zbritës.
Ky lajm është publikuar: 03/02/2010