E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greva në Greqi, doganat bllokohen për dy ditë

Autori i Lajmit: RedaksiaPikat e Kalimit Kufitar të Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit Gjirokastër nuk do të funksionojnë për 48 orë për automjetet, por vetëm për këmbësorët.
Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Gjirokastrës bëjnë të ditur se ndërprerja e punës ka ndodhur për shkak të grevës që doganierët e doganës në Palën Greke do të zhvillojnë për dy ditë rresht, në të gjitha pikat e kalimit të Kontrollit Kufitar që mbulon Drejtoria Rajonale për kufirin dhe Migracionin Gjirokastër dhe konkretisht: Pika e Kalimit Kufitar Kakavijë, Tre Urat Çarshovë si dhe pika e Sopikut.
Pikat e bllokuara
Të gjithë udhëtarët shqiptarë që hyjnë e dalin nëpërmjet pikëkalimeve në juglindje të vendit, do të kenë vështirësi në kalim nëse do të jenë me mjetet e tyre. Ndërsa, do të kenë mundësi të kalojnë pa probleme, të gjithë ata persona, të cilët do të jenë këmbësorë. Greva nis sot, ora 23.00 deri më datën 05 shkurt ora 23.00. Për pasojë, nuk do të funksionojnë për automjetet, (as për kamionët, e as për autoveturat apo autobusët), por vetëm për këmbësorët. “Të gjithë drejtuesit e automjeteve që kanë planifikuar lëvizjet për në shtetin grek në këto data të marrin masa për të anuluar dhe mos lëvizur në drejtim të këtyre pikave, për të mos krijuar konfuzion dhe radhë në këto pika”, thonë burimet zyrtare të Policisë së Gjirokastrës.
Shkaku i grevës
Punonjësit e pikave doganore e kanë ndërprerë punën në shenjë proteste ndaj heshtjes së qeverisë së Athinës për kërkesat e tyre për rritje pagash. Pala greke kryen herë pas herë grevë, duke bllokuar pikat e kalimit kufitar me Shqipërinë, por dhe me Maqedoninë. Shpeshherë, shkak i grevës është bërë neglizhenca e Qeverisë ndaj sindikatës së doganierëve.

Ky lajm është publikuar: 03/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›