ISKSH: Ja sa rriten pagat për 9300 mjekë dhe infermierë
Rriten pagat për 9300 bluza të bardha që punojnë në sistemin shëndetësor parësor.
Ditën e djeshme, drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, ka bërë të ditur skemën e rritjes së pagave për mjekët e përgjithshëm, të familjes, mjekët specialistë, infermierët si dhe të gjithë stafin e qendrave shëndetësore në mbarë vendin, efekti i të cilës do të nisë që nga data 15 korrik e vitit aktual. Në një konferencë për shtyp drejtoresha e ISKSH-së sqaroi se rritja e pagave për mjekët, në varësi të pozicionit gjeografik, shkon nga 2%-5%, me rritje deri në 8% për zëra të caktuar të pagës. Kështu, pas vendimit të fundit të ISKSH-së, pagat e mjekëve të përgjithshëm e të familjes, sipas ndryshimeve të parashikuara pësojnë rritje 4,2-5% ose 2500 lekë në muaj pagat mujore bruto të mjekëve në zonat qendrore, fushore e kodrinore, ku punojnë mbi 1200 mjekë të përgjithshëm dhe të familjes ose rreth 72% e numrit të përgjithshëm të mjekëve, ndërsa pagat e mjekëve në zonat malore e të thella malore pësojnë një rritje rreth 2% ose 1500 lekë në muaj. “Theksojmë se një mjek në zonën qendrore me ngarkesë normale 2000 banorë, me vjetërsi pune 25 vjet dhe që kryen mbi 12 vizita në ditë, do të paguhet me një pagë mujore bruto rreth 53 mijë lekë, ndërsa një mjek në zonat e thella malore që kryen 6 vizita në ditë, do të paguhet me pagë mujore rreth 82 mijë lekë. Nga kjo rritje përfitojnë rreth 1650 mjekë të përgjithshëm dhe të familjes me një efekt financiar 5-mujor për paga dhe sigurime shoqërore e shëndetësore rreth 22.7 milionë lekë”, - ka pohuar Hana. Ndërkaq, nga vendimi i ISKSH-së janë rritur edhe pagat e mjekëve specialistë në qendrat shëndetësore. Më konkretisht, tashmë paga mujore bruto e mjekut specialist me vjetërsi pune mbi 25 vjet varion nga 51 500 lekë në 54 500 lekë. Drejtoresha e ISKSH-së ka shpjeguar se nga kjo rritje përfitojnë rreth 300 mjekë specialistë me një efekt financiar deri në fund të vitit 2011, në paga e sigurime shoqërore e shëndetësore prej rreth 4.4 milionë lekë. Nga rritja e pagave do të përfitojë edhe personeli infermieristik, për të cilët shtesa do të jetë rreth 3%. “Theksojmë se pagat e infermierëve ndryshojnë në elementin e pagës për pozicion. Në vlerë absolute kjo pagë pëson një rritje prej 1000 lekë. Nga 15 korriku, pagat e infermierëve me arsim të mesëm profesional arrijnë deri në 35 000 lekë, e infermierëve me arsim të lartë arrijnë deri në 38 000 lekë, ndërsa pagat e kryeinfermierëve arrijnë në 40 000 lekë. Nga kjo rritje përfitojnë mbi 6700 infermierë, me një efekt financiar deri në fund të vitit 2011, në paga e sigurime rreth 39 milionë lekë”, - është shprehur drejtoresha e ISKSH-së. Në total, efektet financiare nga rritja e pagave për rreth 9300 punonjës arrijnë në 71.5 milionë lekë, (pagat 61.3 milionë lekë dhe kontributi sigurimeve 10.2 milionë lekë). Efektet financiare për këtë rritje do të mbulohen nga buxheti i ISKSH-së për shërbimin e kujdesit shëndetësor parësor. Së fundi, drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, ka njoftuar se tashmë janë shpërndarë pagesat për performancë për mjekët e qendrave shëndetësore, të cilët kanë bërë një punë të lavdërueshme duke realizuar treguesit në masën 84%.