E Diel, 1 Nëntor 2026

Ceka : Antigonea antike tërheqëse për arkeologët dhe turistët

Gjirokastër I pranishëm në Parkun Arkeologjik të Antigonesë, arkeologu Neritan Ceka e ka cilësuar këtë qytet antik tërheqës jo vetëm për studiuesit dhe historianët, por edhe për turistët. Në intervistën e mëposhtme Ceka paraqet ecurinë e kërkime arkeologjike në rrënojat e qytetit antik, zhvillimin aktual të këtij Parku Arkeologjik si dhe ardhmërinë e tij në shërbim të zhvillimit të turizmit.

Cila ka qenë ecuria e kërkimeve arkeologjike në Antigonenë antike?

Antigonea është nga qendrat kryesore arkeologjike të Shqipërisë dhe për këtë arsye është shpallur Park Arkeologjik. Është një qytet i lidhur me emrin e madh të Piros, i themeluar për nder të grua së tij Antigonës. Në pjesën e poshtme kemi agoranë, pjesa publike ku tani për tani kemi gjetur vetëm stoa, ku u gjetën dhe pjesë të një statuje me kalë, ku mendohet se kanë qenë dy: Piro dhe Antigona, sepse është dora e një femre, përveç armëve, përkrenares së një kali dhe pjesë të një shpate. Ndërsa në pjesën tjetër kemi një numër të madh banesash, më e bukura është ajo që quhet banesa me peristil. Ka edhe disa banesa të cilat janë të lidhura me veprimtaritë prodhuese të Antigonesë, pra kemi një banesë që ishte njëkohësisht punishte për përpunimin e lëkurëve, një banesë tjetër që ishte për përpunimin e enëve prej bronzi dhe ndërkohë kemi nga Antigonea një material shumë të pasur arkeologjik, figurina bronzi, mbishkrime të vogla të gdhendura mbi peta bronzi, ku mbi to është shënuar emri ANTIGONOEN (që do të thotë e antigonasve, e bashkësisë së tyre), enë qeramike, prodhime të tjera metalike, armë dhe monedha.

Çfarë mendoni për zhvillimin aktual të Parkut Arkeologjik?

Kujdesi më i madh në sitin arkeologjik të Antigonesë ka qenë këto vitet e fundit. Është forcuar stafi që menaxhon këtë Park Arkeologjik, prandaj kemi një situatë mjaft të mirë në monumente. Në këtë drejtim mund të them se ka qenë meritë e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, i cili ka ndërtuar një rrugë të re me parametra bashkëkohorë, që lidh Parkun Arkeologjik me qendrën e komunës Antigone, duke ndikuar ndjeshëm në rritjen e vizitueshmërisë nga grupet turistike.

Cilat janë perspektivat e zhvillimit të turizmit në Antigone?

Antigonea është një nga modelet ku ne kemi realizuar lidhjen mes turizmit dhe pasurive kulturore. Ky qytet antik është një vend ku natyra ka dhënë bukurinë dhe njeriu ka dhënë historinë, duke shpalosur kështu për vizitorin vendas dhe të huaj një udhëtim të këndshëm. Rruga që të çon në këtë pikë arkeologjike kalon në faqet e bukura të malit, është një natyrë e ruajtur dhe natyrshëm vizitori shkëputet nga telashet e jetës së përditshme dhe hyn në lashtësi. Për të mbështetur zhvillimin e turizmit ne synojmë që me gjetjet e realizuara në rrënojat e qyteti antik të çelim edhe një muze arkeologjik në fshatin Saraqinishtë, që ndodhet mjaft afër Antigonesë. Unë si arkeolog do të doja të bëja një ftesë për të gjithë ata që kanë pasion historinë, por edhe për të gjithë ata që duan natyrën dhe bukuritë e vendit tonë që të vijnë në Antigone.

Bledar Shehu

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›