E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISKSH: Shpërblime deri në një pagë për 9350 punonjës

SHKRUAN: Jonida Tashi 28-12-2011 11:53

Mjekët dhe infermierët që do të përfitojnë më shumë, sipas rretheve. Hana: Fondet kanë kaluar në llogaritë bankare të qendrave shëndetësore dhe duhet të ndahen brenda muajit dhjetor

Plot 9350 punonjës të qendrave shëndetësore në mbarë vendin do të marrin shpërblime deri në një pagë shtesë brenda këtij muaji. Vendimi është miratuar dje nga Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor (ISKSH), ndërsa detajet janë bërë publike nga vetë drejtoresha e këtij institucioni, Elvana Hana. “Në zbatim të politikave të qeverisë, e cila e konsideron sektor prioritar atë të shëndetësisë, si dhe nisur nga treguesit e mirë të performancës, punonjësit e qendrave shëndetësore do të përfitojnë deri në një pagë financim shtesë në këtë fundvit, në bazë të realizimit të indikatorëve të performancës dhe bonusit. Mbështetur në realizimin e pritshëm të treguesve për vitin 2011, rezulton se 416 qendrat shëndetësore të kujdesit shëndetësor parësor të përfitojnë edhe deri në një pagesë tjetër, kundrejt realizimit të treguesve të performancës dhe cilësisë”, - u shpreh Hana.

Përfituesit

Drejtoresha e ISKSH-së ka bërë të ditur se rreth 310 milionë lekë do të jetë fondi i shpërblimeve, nga i cili do të përfitojnë rreth 2000 mjekë familjeje e të përgjithshëm dhe specialistë, 6600 infermierë dhe 750 punonjës të tjerë, si: ekonomistë, sanitarë, shoferë. Sipas Hanës, fondet për përballimin e shpërblimeve janë transferuar tashmë në pjesën më të madhe të llogarive bankare të qendrave shëndetësore, të cilat duhet të veprojnë menjëherë për shpërndarjen e tyre brenda muajit dhjetor. Lidhur me kryerjen e numrit të planifikuar të vizitave nga mjekët e përgjithshëm e të familjes, Elvana Hana ka deklaruar se në shkallë republike ai është realizuar në masën 90%, ndërsa treguesi i cilësisë apo bonusi është realizuar rreth 50%. Referuar të dhënave, rezulton se treguesi i performancës është realizuar në nivele mbi 80%, nga 307 qendra shëndetësore, ndërsa treguesit e bonusit janë realizuar mbi 50% nga mbi 168 qendra. Ndaj, sipas rretheve, rezulton se do të përfitojnë më shumë pagesë shtesë punonjësit e rajoneve të Beratit, Dibrës, Durrësit, Fierit, Korçës, Vlorës, Tiranës, të cilët kanë realizuar më mirë edhe treguesit e cilësisë e performancës. Ndërkaq, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, qendrat shëndetësore, si rezultat i rritjes së numrit të vizitave, kanë arritur të tërheqin rreth 70 milionë lekë më shumë, ndërsa si rezultat i plotësimit të indikatorëve të bonusit kanë tërhequr 158 milionë lekë më shumë.

Kontratat e reja

Këshilli Administrativ i ISKSH ka miratuar kontratat e reja për mjekët e qendrave shëndetësore, për vitin 2012. Sipas drejtoreshës së ISKSH-së, Elvana Hana, kontratat e vitit 2012 me qendrat shëndetësore janë konsolidim i menaxhimit. “Vëmendja më e madhe në kontratat me qendrat shëndetësore për vitin 2012 iu kushtua elementeve që ndikojnë në konsolidimin e menaxhimit të qendrës shëndetësore, si një entitet publik përgjegjës për shërbimin ndaj popullatës që është regjistruar pranë qendrës shëndetësore. Kështu, menaxhimi i regjistrit elektronik të pacientëve, që tashmë është një realitet në qendrat shëndetësore, do të jetë përgjegjësi e qendrës, e cila do të përditësojë të dhënat e pacientëve. Gjithashtu, procesi i transferimit të pacientëve nga një mjek te një tjetër, ose nga një qendër shëndetësore në një tjetër, do të jetë më i thjeshtë për pacientët. Me qëllim përgjigjen në kohë ndaj ankesave dhe problemeve të pacientëve që depozitohen në kutinë e ankesave që është e pranishme në çdo qendër, është vendosur si detyrim që kutia të hapet një herë në javë. Një nga qëllimet kryesore të ISKSH-së që në krye të herës së reformës në parësor ka qenë motivimi i personelit shëndetësor për një shërbim sa më cilësor ndaj pacientëve. Ky motivim është kryer nëpërmjet rritjes së pagave dhe vendosjes së financimit të qendrës shëndetësore, bazuar në realizimin e indikatorëve të ndryshëm (bonusi për performancë dhe cilësi). Reforma në shërbimin shëndetësor parësor e nisur në vitin 2007 po jep frytet e saj edhe sa i takon pagesës së personelit mjekësor, i cili, për të pestin vit radhazi shpërblehet në bazë të punës së kryer dhe cilësisë së shërbimit që u ofron pacientëve.

Përfituesit sipas kategorive

9 350 punonjës të qendrave shëndetësore përfitojnë shpërblim

2 000 përfitues janë mjekë familjeje e të përgjithshëm dhe specialistë

6 600 janë infermierë dhe 750 punonjësit e tjerë të qendrave

Sipas rretheve, rezulton se do të përfitojnë më shumë

pagesë shtesë, punonjësit e rajoneve të:

Beratit

Dibrës

Durrësit

Fierit

Korçës

Vlorës

Tiranës

Treguesit e realizuar

90% është realizuar numri i planifikuar i vizitave nga mjekët

50% është masa e realizimit të treguesit të cilësisë apo bonusit

80% është realizuar treguesi i performancës nga 307 qendra shëndetësore

50% janë realizuar treguesit e bonusit nga mbi 168 qendra shëndetësore

Fondi

310 milionë lekë do të jetë fondi i shpërblimeve për personelin shëndetësor

70 milionë lekë më shumë se vjet janë mbledhur nga vizitat e kryera

158 milionë lekë më shumë janë nga plotësimi i indikatorëve të bonusit

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›