E Shtunë, 31 Tetor 2026

Virozat, dyndje në urgjencat e Tiranës

Virozat e stinës kanë sjellë një rritje të ndjeshme të pacientëve në urgjencat e Tiranës. Vetëm në Urgjencën e Infektivit, pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), çdo ditë marrin ndihmën e parë rreth 60 persona; ndërsa tek Urgjenca e Pediatrisë, mbi 100 fëmijë në ditë. Mjekët thonë se shumë nga të rriturit u drejtohen qendrave shëndetësore në fazë të avancuar dhe për pasojë mbi 10 të tillë në ditë shtrohen në spital për mjekim më të specializuar. “Për virozat respiratore, ato mund të vijnë në fazat e një pneumonie, që të mund të shtrohen, komplikacioneve që mund të jenë pneumonitë, bronkopneumonitë. Nëse ka persona të cilët kanë një sëmundje kronike, e cila mund ta rëndojë situatën, ndjekja duhet të jetë shumë më e kujdesshme, aplikimi i vaksinave të gripit në kohën dhe momentin e duhur, dhe njëkohësisht me fillimin e shenjave të tilla respiratore, një orientim te mjeku për të marrë një terapi më të orientuar”, - thotë mjekja infeksioniste në QSUT, Entela Kolovani. Duke qenë se në të tilla raste qytetarët neglizhojnë dhe shpesh nuk e marrin mjekimin nga mjekët, por nga farmacistët, kjo ka bërë që të sëmurët të mos marrin efektin e duhur nga ilaçet. Ndaj, në një situatë të tillë alarmi, mjekët këshillojnë gjithashtu që të kihet kujdes me përzgjedhjen e medikamenteve. Ndër të tjera, mjekët sqarojnë se viroza e kësaj stine shoqërohet me temperaturë, kollë, të vjella dhe diarre. Në këto kushte, edhe ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, në një takim me shefat e shërbimeve në QSUT ka kërkuar përforcim të masave për virozat e stinës. Megjithëse rastet e fëmijëve të prekur nga infeksionet e frymëmarrjes janë të larta, specialistët thonë se ky numër vizitash është normal për këtë periudhë viti, ku qarkullojnë një sërë virozash. Ndryshimi i herë pas hershëm i temperaturave ndikon edhe në përhapjen e virozave. Meteorologët parashikojnë se ditët festive të fundvitit do të jenë të ftohta, me temperaturat që pritet të zbresin disa gradë celsius, duke i çuar në parametrat realë të stinës së dimrit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›