E Diel, 1 Nëntor 2026

ISKSH: Si abuzojnë me detyrën mjekët dhe farmacistët në Tiranë

Kontrolli në qendrat shëndetësore dhe farmacitë e kryeqytetit, zbardhen shkeljet. Mjekët fshehin lekët e vizitave, farmacistët japin ilaçe pa receta

Emanuela Sako

Specialistët e ISKSH-së kanë kryer kontrolle në të gjitha qendrat shëndetësore dhe farmacitë e Tiranës, ku kanë evidentuar shkelje të të gjitha llojeve. Ndaj subjekteve abuzuese me rregullat ligjore janë marrë masat paraprake. Për dy muaj me radhë Drejtoria e Kontrollit të Jashtëm pranë ISKSH-së është përfshirë në kontrollin e zbatimit të kontratës me qendrat shëndetësore dhe subjektet farmaceutike në këtë rajon. Nga këto kontrolle janë hasur shkelje si abuzimet me kontratat, abuzime me ofrimin e shërbimeve, përcaktimi i diagnozave pa kryer vizitat e pacientëve, abuzime me faturat për personat e pasiguruar etj. Për të tilla shkelje masat e parashikuara janë paralajmërimi për përjashtim nga puna dhe gjobë në bazë të dëmit të shkaktuar kundrejt pacientëve dhe ISKSH-së.
Shkeljet
Kjo nuk është e para herë që ISKSH-ja gjen abuzime të mëdha nga ana e stafit mjekësor. Abuzime janë verifikuar në aktivitetin e mjekut të përgjithshëm dhe të familjes, ku janë konstatuar shkelje të detyrimeve kontraktuale, pasaktësi në dokumentimin e aktivitetit profesional të mjekut, pasaktësi në regjistrimin e banorëve që mbulojnë me shërbim shëndetësor, duke shkelur parimin e zgjedhjes së lirë të mjekut, domethënë duke regjistruar të njëjtët banorë nga mjekë të ndryshëm, dhe kjo është verifikuar në Poliklinikën Nr. 10. Në poliklinika është vërejtur edhe fenomeni i zhvatjes së parave të qytetarëve të pasiguruar, duke i kërkuar para në dorë dhe pa prerë faturën e detyrueshme për kryerjen e vizitës. Në qendrën shëndetësore “Kashar”, një mjeku, përveç mungesave të shprehura në punë në ambientet e pikës shëndetësore, iu gjendën dhe sasi barnash. Në zbatim të kontratës në fuqi, drejtorit të qendrës shëndetësore iu dha masa disiplinore “Paralajmërim për pushim nga puna”. Abuzime janë kryer edhe në kartelën personale të pacientit, e cila u paraqit me shumë mangësi. Mangësitë e vërejtura janë në rastet kur nuk plotësohen të dhënat e domosdoshme sipas praktikës së njohur mjekësore, nuk plotësohet saktë ecuria e sëmundjes, diagnostikimit, ekzaminimet, konsultat dhe mjekimi. Diagnozat nuk mbështeten me ekzaminime, nuk argumentohet në kartelë arsyeja e dërgimit të të sëmurit te mjeku specialist, nuk pasqyrohen në kartelë të gjithë vizitat e kryera. Po kështu, nuk zbatohet praktika e njohur mjekësore për përshkrimin në kartelën personale të treguesve kryesorë të vendosjes së diagnozës dhe mjekimit. Njëkohësisht nuk respektohet sistemi i referimit për rekomandimet te mjeku specialist dhe në spital, si dhe shkelje të kufizimit të listës dhe protokollet e përdorimit të barnave, kryesisht për sistemin kardiologjik, pulmonar dhe traktit urinar etj. Përveç kësaj, nuk argumentohen të gjithë rastet e reja kronike dhe ndryshimi terapive sipas detyrimeve kontraktuale.
Masat
Në total janë kontrolluar 13 qendra shëndetësore, 52 mjekë të përgjithshëm dhe të familjes. Në bazë të kontrolleve dhe në zbatim të kontratave të lidhura, ndaj 26 mjekëve janë vendosur gjoba në vlerën totale 86 000 lekë. Ndaj 19 mjekëve të tjerë janë marrë masa për kryerjen e zhdëmtimeve në vlerën 195 749 lekëve.
Edhe farmacitë kanë një listë të gjatë të shkeljeve. Nga punonjësit e Drejtorisë së Kontrollit të Jashtëm, gjatë dy muajve janë organizuar kontrolle të befasishme te 59 subjekte farmaceutike, ku janë evidentuar mjaft shkelje abuzive. Krahas kontrollit të befasishëm u organizuan dhe kontrolle të plota me inventarizim të barnave të listës së rimbursimit te 15 subjekte farmaceutike. Nga këto kontrolle, në shumë subjekte janë konstatuar rimbursim i padrejtë për disa barna të listës, të pajustifikuara me dokumentacionet përkatëse. Shqetësues ngelet tregtimi i barnave të listës pa recetë mjeku, në kundërshtim me kontratën dhe ligjin për qarkullimin e barnave. Në total vlerave e diferencave në plus të rimbursuara në mënyrë të padrejtë kap vlerën 1 059 693 lekë, ku janë vendosur masa zhdëmtimi për 15 subjekte farmaceutike. Në lidhje me shitjet e barnave pa recetë mjeku, sipas diferencave në minus të detyrimeve kontraktuale, janë vendosur masa administrative me gjobë ndaj 10 subjekteve farmaceutike në vlerën totale 100 000 lekë.

Shkeljet

Qendrat shëndetësore të Tiranë

Mungesa të personelit shëndetësor sipas orarit të miratuar.

Mangësi të informimit të të siguruarve në lidhje me shërbimet që ofron qendra shëndetësore.

Mosrespektim i tarifave të shërbimit shëndetësor për personat e pasiguruar, ku në pjesën më të madhe nuk dokumentohen vizitat për personat e pasiguruar (duke favorizuar pagesat informale në këtë rast).

Në qendrën shëndetësore Kashar, një mjek, përveç mungesave të shprehura në punë, në ambientet e pikës shëndetësore iu gjendën dhe sasi barnash

Në aktivitetin e mjekut të përgjithshëm dhe të familjes janë konstatuar shkelje të detyrimeve kontraktuale si; pasaktësi në dokumentimin e aktivitetit profesional te mjeku, pasaktësi në regjistrimin e banorëve që mbulojnë me shërbim shëndetësor, duke shkelur parimin e zgjedhjes së lirë të mjekut (duke regjistruar të njëjtët banorë nga mjekë të ndryshëm, si në Poliklinikën Nr. 10).

Paraqiten pasaktësi në të dhënat që raporton qendra shëndetësore pranë DRSKSH-së, kryesisht në lidhje me indikatorin e pagesës për numër vizitash, si plotësim të numrit të vizitave të një pacienti dy-tri herë brenda ditës.

Janë verifikuar mangësi në plotësimin e dokumentacionit për të dhënat e deklaruara për indikatorët cilësorë. Të tilla raste janë vërejtur kryesisht te mjekët e qendrave shëndetësore 10 dhe 2 në Kashar dhe Paskuqan. Tek të gjithë mjekët ku janë konstatuar pasaktësi janë marrë masa administrative.

Shkelje në farmaci
Ofrim i shërbimit farmaceutik nga persona që nuk kanë nënshkruar kontratën me ISKSH-në, ku në zbatim të kontratave në fuqi është vendosur gjobë në masën 10 000 lekë.

Janë gjetur barna të listës së rimbursimit pa pullën e kontrollit të MSH-së, ku është ndërprerë kontrata me këtë subjekt dhe i është propozuar komisionit të licencimit për heqje të licencës profesionale.

Ne ambientet e 3 farmacive u gjenden libreza shëndeti të pacientëve pa qenë të pranishëm në farmaci, ku janë vendosur masa administrative ndaj të tre subjekteve në vlerën totale 3000 lekë.

Në 10 farmaci u gjendën sasi të konsiderueshme të faturave të furnizimit pa u regjistruar në dokumentacionin përkatës, sipas afateve të përcaktuara në kontrate, ku janë marrë masa administrative gjobë ndaj këtyre subjekteve në vlerën totale 149 000 lekë.

20 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›