E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia, bursa studimi për kualifikim profesional për 50 të papuna



Bashkia e Tiranës ka dhënë bursa studimi për kualifikim profesional për 50 gra të regjistruara si të papuna. Gjithçka është mundësuar për të shmangur papunësinë në Tiranë dhe për t’u dhënë mundësi grave dhe vajzave që të mund të punësohen nëpërmjet formimit profesional. Për këto gra janë dhënë bursa studimi të tilla si: sekretari, rrobaqepësi, kujdestari fëmijësh. Kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, u shpreh se do të ndërmerren sërish projekte të tilla dhe se ky është një hap përpara për të luftuar papunësinë, e cila sipas tij sa vjen dhe thellohet, pasi nuk ndiqen politikat e duhura. “Duke Kultivuar Prosperitet” është iniciativa sociale më e re e Bashkisë së Tiranës në ndihmë të grave dhe vajzave në nevojë. Kjo nismë është pjesë e programeve sociale për kategoritë në rrisk dhe ka për qëllim fuqizimin e gruas si faktori më i rëndësishëm në edukimin e familjes dhe zhvillimin e shoqërisë. Në fokus të kësaj iniciative janë gratë në pamundësi ekonomike dhe vështirësi sociale për të përmbushur aspiratat e tyre dhe për t’u aftësuar profesionalisht me qëllim integrimin e tyre në tregun e punës dhe rritjen e shanseve në punësim. Bashkia e Tiranës, me mbështetjen e fondacionit “Abraham Lincoln” në Shqipëri, Kryqit të Kuq Shqiptar/ Dega Tiranës, Shoqatës së Grave Kristiane Shqiptare (YËCA), shoqatës “Për gratë dhe fëmijët”, ofroi 50 bursa studimi për kualifikim profesional falas (kurse sekretari - kompjuter, kujdestari fëmijësh, rrobaqepësi, kurse kuzhine etj) për 50 gra në pamundësi ekonomike, duke ndikuar direkt në rritjen profesionale të tyre.
“Ne do të vazhdojmë në këtë drejtim dhe do të bëjmë ç’është e mundur që t’u japim mundësi të rejave dhe të rinjve, grave në mënyrë të veçantë, që përmes arsimit profesional, përmes trajnimeve profesionale, përmes aftësimit të tyre për të bërë një sërë profesionesh, që janë krejtësisht të mundshme dhe të cilat janë edhe aspiratë e tyre, të nxjerrin nga rreshtat kilometrikë të papunësisë shqiptarë dhe shqiptare që nuk kanë asnjë arsye të qëndrojnë të papunë dhe të pashpresë dhe nuk kanë asnjë arsye të jenë të varfër e të mos arrijnë dot fundin e muajit për shkak se nuk kanë të drejtën të jetojnë me punë të ndershme”, - u shpreh Rama.

Personat me aftësi të kufizuar, nga 1 marsi 16 mijë lekë për higjienën

Vendimi më i fundit i qeverisë parashikon që personat me aftësi të kufizuar, para dhe tetraplegjikë, të përfitojnë rreth 16 mijë lekë çdo muaj për paketën higjieno-sanitare. Zëvendësministri i Punës, Kastriot Sulka, shpjegon disa nga përfitimet për këtë kontigjent personash. Sulka shprehet se krahasuar me vitin 2005, për këta persona ka pasur shumë ndryshime. Sipas tij, duke filluar nga data 1 mars, të gjithë personat me aftësi të kufizuar do të përfitojnë nga vendimet më të fundit të ekzekutivit. Zëvendësministri i Punës ka folur dhe për ndryshimet që do të pësojë skema e ndihmës ekonomike. Sipas Sulkës, do të rritet numri i përfituesve nga kjo skemë. “Skemën kemi vendosur të mos e cenojmë, por në rastet përkatëse i parashikojmë ndryshimet e legjislacionit që pothuajse e kemi të përfunduar. Më tepër kemi qenë të fokusuar te ato kategori që bëjnë përjashtimin nga skema”, - shpjegon numri dy i Punës. Gjithashtu, Sulka bën të ditur se tashmë janë ngritur dhe grupet e inspektimit për të identifikuar personat që duhet të hyjnë në skemën e ndihmës ekonomike.

Kursimi i energjisë, Bojaxhi dhe Beja në shkollat e mesme të Tiranës

Marrëveshja mes Ministrisë së Arsimit dhe KESH-it për kursimin e energjisë elektrike është konkretizuar dje me një bisedë informuese dhe sensibilizuese mes krerëve drejtues të institucioneve përkatëse dhe nxënësve të shkollës së mesme “Ismail Qemali”, në Tiranë. Gjergj Bojaxhi, drejtuesi i KESH-it, përpara nxënësve ka deklaruar se nëse ndërtesat që janë ndërtuar pas viteve ‘90 do të kishin termoizolim, atëherë do të kishte më pak konsumim të energjisë elektrike në stinën e dimrit. Kurse ministri i Arsimit, Fatos Beja, u shpreh se kjo marrëveshje mes institucioneve do të vazhdojë edhe në të ardhmen. “Ne do të vijojmë të bashkëpunojmë në mënyrë që dijet që ju merrni në mënyrë teorike gjatë mësimeve të përditshme, por dhe gjatë orëve të lira, t’i angazhoni në jetën tuaj të përditshme”, - pohoi para nxënësve Beja. Marrëveshja për kursimin e energjisë elektrike është shtrirë dhe në shkolla të tjera të mesme të Tiranës.

20 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›