MSH, masa për 900 punonjës të Shëndetësisë që abuzonin me fondet
Ministria e Shëndetësisë ka marrë masa penalizuese për rreth 900 punonjës të stafit shëndetësor në të gjithë vendin. Auditi i Brendshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë 8 muajve të fundit, shtator 2008 - mars 2009, ka kryer 47 kontrolle, të cilat vazhdojnë dhe do të shtrihen në të gjithë spitalet e vendit. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, dëmi ekonomik i konstatuar në këto auditime është 12 476 000 lekë, i cili i është ngarkuar për zhdëmtim 849 punonjësve të administratës shëndetësore. Pas shkeljeve të konstatuara në këto auditime, janë larguar nga puna 21 persona, duke përfshirë drejtorë, si dhe punonjës të ndryshëm të administratës shëndetësore. Burime nga MSH-ja bëjnë të ditur se aktualisht janë dhënë 81 vërejtje të ndryshme, ku përfshihen me paralajmërim për pushim nga puna, vërejtje, si dhe ulje në detyrë dhe këshillime. Ndërsa për 10 persona është bërë kallëzim penal, si dhe 2 dosje të tjera, ku përfshihen drejtues dhe ish-drejtues janë në proces kallëzimi penal.
20 Mars 2009