ISKSH, këshillim nga pala gjermane për sigurimet shëndetësore
ISKSH-ja do të ketë këshillim nga pala gjermane në reformat e saj për sigurimet shëndetësore dhe financimin e tyre. Këshillimi do të jetë pjesë e politikave shëndetësore në vend. Për këtë arsye, sapo ka nisur një projekt i GTZ-së “Këshillim në politikat shëndetësore në Shqipëri”, i cili do të fokusohet kryesisht në reformën e financimit të shëndetësisë dhe skemën e sigurimeve shëndetësore. Projekti do të mbështesë Qeverinë Shqiptare në implementimin e Strategjisë së Sektorit të Shëndetësisë 2007-2013, veçanërisht në drejtim të përmirësimit të sistemit të financimit të shërbimeve shëndetësore. Projekti është parashikuar të zgjasë 2 vjet dhe synon të përmirësojë kushtet e kuadrit institucional si dhe aftësitë e organizmave të sigurimeve shëndetësore në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe zbatimin që bëhet nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësore. Një ekspert këshillimi do të nisë punën pranë ISKSH-së javën e ardhshme në zbatim të projektit. Drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana u shpreh se aktualisht ISKSH-ja është në proces të disa zhvillimeve të rëndësishme në sistemin shëndetësor dhe për këtë arsye duhet marrë përvoja e sistemit gjerman.
8 Maj 2008