Bashkëpunimi PD-PS, me material detyrimi
Nga Pjerin Ndreu
Bashkëpunimi me material detyrimi është një term i përdorur gjerësisht nga organet investiguese të të gjitha kohërave, që do të thotë që një personi të caktuar i kërkohet të nënshkruajë deklaratën e bashkëpunimit me organet që merren me zbulimin e veprimtarisë kriminale, i detyruar. Detyrimi përdoret, kur personi ka kryer vetë një vepër penale të lehtë ose është bashkëpunëtor periferik në një krim. Për ti shpëtuar ndjekjes penale, ose për lehtësira të tjera, detyrohet të firmoste deklaratën e bashkëpunimit. Kjo është përdorur në të gjitha kohërat, në atë të Sigurimit të Shtetit, dhe në ditët e sotme, në vendin tonë, por dhe në të gjithë botën. Në fakt kjo teori ka funksionuar dhe në Kanun, por edhe në jetën e përditshme kur të gjendur në vështirësi njerëzit janë detyruar ti nënshtrohen dikujt tjetër për shkak se nuk kanë zgjidhje tjetër, megjithëse nuk e dëshirojnë apo pëlqejnë veprimin.
Duke lexuar intervistën e Fatmir Xhafës, në lidhje me mënyrën e të vepruarit në bashkëpunimin për reformën zgjedhore, dukej qartë se ndryshimet janë bërë pikërisht sipas logjikës së bashkëpunimit me material detyrues. Pra PD-ja i vë kusht PS-së, që “nëse nuk pranoni ndryshimet që propozojmë ne, nuk votojmë sistemin zgjedhor”. Të verbuar në një luftë pa precedentë për një sistem zgjedhor anormal, por që viagron rolin e individit, pra të kryetarit të partisë për të kontrolluar çdo gjë, si dhe për të shpëtuar nga mospërfshirja në listat e zgjedhësve deputetët e PS-së, pranojnë bashkëpunim duke votuar pa bindje, për disa ndryshime që kanë kënaqur vetëm Sali Berishën dhe Edi Ramën. Në këtë rast kemi dy veprime unitare detyruese. Njërën e bën Berisha që detyron Ramën që në shkëmbim të Sistemit Zgjedhor të shpëtojë veten nga historia e përgjakshme e Gërdecit, duke ju bërë dhe presion detyrues në të njëjtën kohë deputetëve të vetë dhe aleatëve të cilët në rast refuzimi do penalizohen me mos përfshirje në lista. Nga krahu i PS-së të njëjtën gjë bën Rama, i cili u tund para syve deputetëve të vetë kartën e përjashtimit nga listat në rast të mos votimit në parlament të ndryshimeve kushtetuese. Duke i shtuar këtu dhe faturën e superkorrupsionit që mbajnë mbi supe shumë ish-eksponentë qeveritarë në PS dhe sot në PD termi i bashkëpunimit me material detyrimi bëhet më efektiv dhe garanton suksesin personal të dyshes Berisha – Rama. Në këtë kontekst, dyshja e mësipërme ngjan si fotokopje e njëri tjetrit.
Llogaritë janë bërë mirë, por gjithmonë në interes të Berishës, i cili e luan më së miri kartën e materialit detyrues ne favor të tij. Në këtë rast viktima është PS-ja, e cila jo vetëm blindon Berishën në krye të vendit duke i hequr vetes, opozitës dhe gjithë popullit të drejtën që të shkojë në zgjedhje pa Berishën kryeministër por merr rolin e të nënshtruarës me detyrim. Nuk besoj se ka një socialist, sado naiv, në këtë vend që të besojë që me Berishën kryeministër mund të ketë zgjedhje të lira. Socialistët e ndershëm që vuajnë prej tre vjetësh bashkë me gjithë shqiptarët pasojat shkatërruese të kësaj qeverie të Gërdecit vërshuan në shesh për ta rrëzuar qeverinë dhe jo për ti dhënë mandatin e qeverisjes së qetë. Të bësh politikë të re me Berishën partner është një rrezik real për mijëra socialistë që janë flakur në rrugë të papunë dhe jetojnë në varfëri ekstreme. Por dhe për masën e madhe të shqiptarëve që nuk i bashkon asgjë me qeverisjen e sotme.
Të bashkëpunosh me material detyrues është një tradhti ndaj vetvetes dhe interesave të shumicës së votuesve. Por sipas meje nuk mund të presim gjë prej disa socialistëve ish-ministra dhe tani deputetë që notojnë në ambientet e kriminalizuara, kanë vëllezër, nipa, kushërinj, dhe rreth shoqëror të zhytur në trafiqet e drogës dhe qenieve njerëzore. Kështu që materiali i detyrimit do të jetë për shumë kohë mbi kokat e tyre duke i bërë lehtësisht që të tradhtojnë pa hezitim interesat e popullit. Këtë armë që Berisha ka në dorë, e përdor mjaft mirë dhe është balanca që ai vendos për të sfumuar efektin Gërdec. Pra ajo që i bashkon Berishën me disa eksponentë të majtë është e njëjta trajektore e kriminalizuar dhe korruptive që ndërsa realizon bashkimin e tyre largon popullin nga vendimmarrja duke e lënë në terr informativ, larg realitetit. Deri ku do të shkojë filozofia e Berishës e bashkëpunimit me material detyrimi dhe çfarë pasojash do të ketë ajo për të majtën e nënshtruar dhe tradhtuar nga PS? Si njohës i mirë i kësaj filozofie unë mendoj se ky stil është vrasës dhe pa rrugëdalje, ku padroni (në këtë rast Berisha) mban gjithmonë në presion bashkëpunuesin duke e detyruar të bëjë atë që ai do. Pra, rreziku nuk përfundon me kaq.
8 Maj 2008