E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekti, si do të eleminohen lëndët kimike në të gjithë vendin

Vendndodhja, në ambientet e Drejtorive të Shëndetit Publik, Spitaleve etj. Projekti financohet nga PNUD dhe qeveria hollandeze

Emanuela Sako
Lëndët kimike që gjenden në të gjithë vendin do të asgjësohen.
Falë një projekti është vendosur që të asgjësohen të gjitha lëndët të tipit, lëndë kimike dezifenktante, desinsektantë dhe deratizantë (DDD), të skaduara ose jo. Disa prej tyre të ndaluara për përdorim për shkak të evidencës shkencore për efekte të dëmshme në shëndet, gjenden të depozituara në ambiente të Drejtorive të Shëndetit Publik apo Spitaleve në një numër rrethesh në vend. Kjo nismë e re do të merret nga Ministria e Shëndetësisë me asistencën e Qeverisë hollandeze dhe PNUD-it. Në fillim do të kryhet identifikimi, dhe grumbullimi i sigurt i stoqeve të lëndëve të rrezikshme kimike të shpërndara në strukturat e sistemit të shëndetësisë në të gjithë vendin. Pika të nxehta mjedisore konsiderohen gjithashtu disa zona ku gjenden industri të vjetra dhe të braktisura. Të gjitha këto lëndë kimike janë të dëmshme për njerëzit që punojnë në këto ambiente dhe për mjedisin e jashtëm.
Lëndët
Të gjitha lëndët që do të eliminohen janë tepër të rrezikshme për shëndetin e personave që kanë kontakt me to, por edhe për të gjithë banorët e zonave përreth. Pjesë e asgjësimit të lëndëve janë lëndët kimike, dezifenktantë, desinsektantë dhe deratizantë (DDD). Lëndët mund të jenë të skaduara, por edhe në gjendje akitive. Disa prej tyre të ndaluara për përdorim për shkak të evidencës shkencore për efekte të dëmshme në shëndet. Ato gjenden të depozituara në ambientet e Drejtorive të Shëndetit Publik apo Spitaleve në një numër rrethesh në vend. Gjithashtu, pjesë e kësaj nisme do të jenë dhe reagentë kimik për përdorim laboratorik, të papërdorshëm për arsye të ndryshme, që gjenden në laboratorë të shëndetit publik dhe spitaleve. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, eliminimi i tyre është një proces i cili kërkon masa specifike për mbrojtjen e shëndetit të punonjësve që do të manipulojnë me to, të popullatës si dhe masa të veçanta për mbrojtjen e mjedisit. Ndërkohë, Drejtoritë e Shëndetit Publik janë udhëzuara të evidentojnë dhe të inventarizojnë stoqet e lëndëve të rrezikshme kimike. Stacioni Hekurudhor i Bajzës është identifikuar si një nga pikat e nxehta mjedisore që kërkon ndërhyrje urgjente për shkak të 200-250 ton kimikateve të paidentifikuara të depozituara në magazinat e këtij stacioni hekurudhor. Ndikimi në mjedis dhe mbi të gjitha ndikimi në shëndetin e banorëve të zonës përbën një shqetësim madhor. Pastrimi i plotë i Stacionit Hekurudhor të Bajzës është planifikuar të përfundojë deri në mars 2010. Pika të nxehta mjedisore konsiderohen edhe lokalitetet ku gjenden industri të vjetra dhe të braktisura. Në vitet 2006 dhe 2007 janë bërë marrëveshje me BE-në për rehabilitimin e pikave të nxehta mjedisore si prioritete afat-shkurtër dhe afat-mesëm. Në këto projekte janë përfshirë zona si Sharra, rafineria e Ballshit, zona e Patos-Marinzës etj.

Projekti
Ky është një projekt rajonal, në të cilin përfshihen 6 vende të Ballkanit Perëndimor si: Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Shqipëria dhe Serbia. Projekti është i mbështetur nga Qeveria hollandeze dhe PNUD-i dhe arrin vlerën e 15 milion USD. Projekti synon forcimin e kapaciteteve në vendet e Balkanit Perëndimor për të zgjidhur problemet mjedisore nëpërmjet rehabilitimit të pikave të nxehta mjedisore. Programi i qeverisë 2005-2009 konsideron rehabilitimin e pikave të nxehta mjedisore të shkaktuara nga industritë e vjetra dhe të braktisura si prioritet në mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit. PUND-i angazhohet të mbështetëse Qeverinë Shqiptare për problemet e pikave të nxehta mjedisore.

8 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›