Ngjyrat dhe tingujt poetikë në veprën e Bakallit
Ksenofon DILO
Natyrisht, që për çdo artist, koha në të cilën ka jetuar e punuar shpesh është përcaktuese, ndikon dhe lë gjurmë në tërësinë e veprimtarisë artistike, sidomos në një vend ku diktati dhe orvatja për të kontrolluar artin ka qenë kriter idologjik i ashpër dhe me pasoja. Ndoshta duket paradoksale por piktori Naxhi Bakalli me tërësinë e veprës së tij artistike të krijon bindjen se bën përjashtim duke qenë kundërvënës ndaj ligjësive të tilla. Ndjen se ai i kalon tangent kohës së vet, dogmave dhe skemave të saj. Ai bën pjesë e shquhet ndër ata artistë që ndonëse nën tutelë, ditën dhe mundën të krijonin vepra të qëndrueshme. Të duket se artisti edhe kur ka ndier mbi shpinë baticat e zbaticat e asaj kohe, ka gjetur dritare informimi në një formë a në një tjetër mbi të rejat a artit bashkëkohor duke shmangur klishetë. Ai i ka njohur së largu piktorët modernë dhe përmes motivesh të thjeshta, është prirur jo drejt ëndrrave por drejt jetës. Kësisoj, që në fillesat e saj vepra e Naxhi Bakallit duke sfiduar edhe rregulla akademike të mësuara në shkollat artistike të kohës, nis e merr gradualisht atë tis të hollë jete që do ta bëjë piktorin një zë të veçantë origjinal në pikturën laike shqiptare të gjysmës së dytë të shek.XX. Në heshtje ai anashkalon teoritë spekulative, as nuk mban poza “puritani”, mbyllur në studio pas kavaletit, por shfaqet si një artist i ndjeshëm, i kompletuar dhe modern, që debuton në shumë fusha të arteve pa qenë selektiv ndaj gjinive të konsideruara rëndom nga shumë të tjerë si dytësore. Në çdo gjini figurative, vepra e Bakallit është koherente dhe homogjene, përherë po ajo kaligrafi edhe kur mbart konture të qarta, e stilizuar apo abstraguar. Veprat e tij, përjashto disa syresh, nuk janë të përmasave të mëdha, të shumtën e herës, intime dhe me sens për të evidentuar njëherësh probleme etike, estetike dhe teknike. Në atë lloj pikture përherë të krijohen ndjesitë e një oazi qetësie, vezullim ngjyrash e linjash të pastra, tinguj lirizmi poetik, hera – herës çuditërisht të atij këndi dhe ngjyrimeve Lasgushiane. Nga ana tjetër, shumë krijime të bëjnë reshqanthi të ndjesh komplikimet psikologjike të kohës së jetuar, meditimet dhe aspiratat e njeriut të asaj kohe, harmoninë e traditës artistike që gjallëronte në zemrën e artistit, e pa rrudhur, e pa vyshkur. Në veprat e Naxhiut para viteve ’90, por edhe më pas, trajtimi i portretit dhe veçmas figura e gruas, zë një vend veçantë; delikatesa e femrës, krahas dukurive të formimit ngjan të ketë ndikuar shpesh gjuhën, linjat, tingujt lirike, atmosferën disi fluide, brishtësinë e tablove. Me përvijime të qarta apo duke huazuar forma të hershme të kubizmit analitik dhe herë të tjera përmes stilizimesh, kjo larmi linjash e ngjyrash të ngjall ndjesi gëzimi. Ndër vitet e veprimtarisë jashtë vendit, gjuha shprehëse e autorit vjen e abstragohet skajshëm. Mbi qetësinë lineare tashmë peshë më të ndjeshme merr koloriti, efektet tonale dhe gjeometrizimi i formave që bëhen elementë sundonjës të pikturës. Në veprat më të hershme gjen diçka të përafërt me manierën e piktorëve të tillë modernë të afërt shpirtit të tij si H.Matisse, ndërkohë që ai tash ndjehet i kredhur në një fushë tjetër, atë të ornamentikës. Gjithsesi, është evoluim spontan pasi në tërësinë e veprave të Bakallit, elementet ornamentale i gjen kudo. Janë organike e ndërthuren në kompozime figurash nudo e portrete femrash edhe në fazat pararendëse, madje janë elemente stilistike që e ndjekin nga vepra në vepër. Eshtë kësisoj plotësisht e besueshme debolesa dhe dashuria e piktorit që në rini për artin popullor, traditën, trashëgiminë e pasur të qendistarëve, brezave të zejtarëve vendas. N.Bakalli mbetet strikt në linjat, në rrugën e tij. Megjithatë mund të ketë edhe krahasime kohore, sidomos nga një shikim retrospektiv dhe viteve të qëndrimit në Itali. Në vepra të mëparshme të piktorit vizatimi mbetej shpesh elementi shprehës primar, ndërsa koloriti u vishej kontureve disi me ndrojtje, pa funksione dhe efekte shprehëse të drejpërdrejta. Gradualisht ky raport nis e ndryshon dhe në vitet që pasojnë , ngjyrat në sipërfaqe të rrafshta, ritmike, të mirëorganizuara, nën trysninë e mjaft variacione kërkimesh, fitojnë tinguj ekspresivë e gama të larmishme, transparencë, pastërti tonesh, aq sa të ngjajnë me qylyma të ndritshëm të sapo endur. Këto punime duke sikur rrjedhin apo marrin shkas nga efekte të fovizmit, që parapëlqen pasqyrimin koloristik dramatik të jetës e që ngazëllehet nga bukuria e ngjyrave spektrale. Në shikim të parë e të përciptë ky mozaik ornamental, për arsye të njohura historike ndesh pika takimi me fushat dekorative lindore. Si dukuri e mbarë Ballkanit mund të ketë dhënie e marrje, ndikime të natyrshme, por do të ishte konstatim i sipërfaqshëm nëse nuk e njeh mirë dhe nëse nuk merr parasysh atë traditë të shquar të vendit, të pasur në forma, elemente e nuanca origjinale dekorative si shprehje e shpirtit shqiptar, derdhur parreshtur gjatë shekujve në këto fusha. Piktori Bakalli nuk vuan nga komplekse të ngurta dhe gjykime të prera ngushtë. Rritur në koloritin e artit popullor tiranas, për të kultura është një det i gjerë kur vjen nga artet pasqyruese apo utilitare e dekorative, ngado që vijnë vlerat e saj të vërteta. Dikur, impresionistët e pasionuar studionin gravurat japoneze me ngjyra, modernët artin primitiv afrikan si p.sh. Picasso, ndërsa Mattise adhuronte ngjyrat e qylymave orientalë.
Ndonjë vepër e Naxhiut të kujton perlat e artit botëror siç janë miniaturat persiane, por zorr se gjen te ai kopje shembujsh identikë. Kjo sferë e prirur drejt modernizmit, të shumtën e herës merr atë trajtë saqë motivet në dukje folklorike, që për nga kompozimi ritmik perceptimi figurativ harmonik linjash të lakuara, janë krijime thellësisht vetjake. Sërish nga ky modernizëm, ndonjë element të kujton piktorin Paul Klee. Këtë “arsenal” dekorativ artisti e ka të afërt. Përpjekje të ngjashme sporadike ndaj kësaj tradite kanë bërë edhe të tjerë artistë shqiptarë. Madje ngjyra të tilla ndjehen edhe te piktori Ibrahim Kodra, i cili duke krijuar pothuajse tërë jetën në mjedis të huaj, ka ndier rezonancën e aromës së vendlindjes, madje aq sa elemente të veçantë dekorative të kësaj tradite, ornamente të shkëputura përfshihen ritmikisht në sfondet e veprave të tij postkubiste. Piktori Bakalli është artist me profil origjinal në pikturën e re shqiptare. Edhe gjatë ndryshimeve demokratike në vend, i ndodhur larg atmosferës dhe problemeve të kulturës dhe arteve të shoqërisë së sotme shqiptare në tranzicion, ai ka ditur në terren të huaj por të favorshëm, që të ruajë dhe të kultivojë fizionominë e tiparet e krijimtarisë vetjake. Ai nuk u është nënshtruar modave kalimtare që vijnë e shkojnë pa mbartur ideale të vërteta e pa lënë gjurmë. Pa poza, si zë i vendit të vet, ndonëse disi edhe sot i lënë në sordinë padrejtësisht, Nexhi Bakalli njëherësh është ballkanik dhe europian. Vetëm në vitin ’91, Bakalli mundi të hapë të parën ekspozitë personale në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë me rreth 170 punime të gjinive të ndryshme. Gjatë kohës që punon në Itali ai ka ekspozuar në Firence, Milano, Romë pranë mjeshtrave të mëdhenj Miro, De Chirico, Severini, Chagall, Carra, Dali, Vazarel, etj. Vepra e tij është prezantuar në anuaret e artit modern të Italisë. Në ’96 është përfshirë në fjalorin e artit botëror në Londër. Ndër vitet ’80 në Suedi e më pas në Norvegji dhe në Francë do të botoheshin librat e tij me vizatime për Shqipërinë dhe traditën kulturore të saj. Në paletëm e N.Bakallit ndihet sinqeriteti i shprehjes së lirshme, preferencat për tema e motive epiko-lirike, ndjesi të holla vizatimore, tipare që e shoqërojnë gjatë gjithë shtegtimit jetësor. Ashtu siç thuhet, arti është i mirë dhe i bukur kur nuk orvatet të gënjejë. Për nga substanca, përmbajtja, struktura dhe fryma që përshkojnë tablotë ngjajnë si poezi me shumë dhimbje nga brenda. Piktura e tij është poezi që shihet, është vet ditari i jetës, pikturuar me drithërimat e një shpirti të ndjeshëm.
8 Maj 2008