E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISKSH, kontrakton privatët për sigurimet shëndetësore

 

Sigurime shëndetësore edhe nga subjekte private. Këtë parashikon për herë të parë statuti i ri i Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Drejtoresha Elvana Hana prezantoi dje  në konferencën e mbajtur për këtë qëllim, draftin i cili u diskutua në nivel ekspertësh. "Për herë të parë parashikohet  kontraktimi me shërbimin privat, duke futur elementin e konkurrencës, i cili padyshim do të sjellë një cilësi më të mirë shërbimi për pacientët. Do të krijohet regjistri i ri i dhënësve privatë të shërbimit, i cili do të përfshijë vetëm subjekte të licensuara dhe akredituara nga organet përkatëse për dhënien e shërbimit shëndetësor", tha Hana. Sipas saj,  më  tej do të jetë Këshilli Administrativ i cili do të miratojë metodat dhe kriteret e kontraktimit për dhënësit e shërbimeve shëndetësore duke stimuluar aksesin e shërbimeve, efektivitetin e kostos së tyre dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve ndaj popullatës. Asistencën për reformimin e ISKSH po e foron GTZ (Organizata Gjermane për bahskëpunim teknik) e cila ka një projekt konkret  në mbështetje të përmirësimit të kuadrit ligjor. Sipas draft/statutit, financimi i shërbime shëndetësore do të bëhet përmes paketave të mirëpërcaktuara të shërbimeve, të cilat do të përfshijnë: vizitat, ekzaminimet dhe trajtimet mjekësore në qendrat e kujdesit shëndetësor parësor publik dhe në spitalet publike. Këshilli Administrativ nëpërmes komisioneve teknike të krijuara prej tij luan një rol të rëndësishëm  në procesin e hartimit të paketave të shërbimeve që do të rimbursohen nga Institucioni gjithmonë, duke u bazuar në aftësitë paguese të buxhetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›