Ndërtimet afër hekurudhës do të prishen, rrezikojnë banorët
SHKODER - Së shpejti do të fillojë prishja e ndërtimeve të objekteve të paligjshme përgjatë linjës hekurudhore Hani i Hotit- Shkodër-Lezhë. Këto ndërtime janë kthyer në problem për drejtuesit e Hekurudhës së Shkodrës, pasi sjellin pasoja jo vetëm për funksionimin normal të linjës, por edhe për jetën e banorëve. Sipas drejtorit rajonal të hekurudhës në Shkodër, Tonin Trupa, në bazë të vëzhgimeve të kësaj drejtorie, përgjatë linjës hekurudhore janë evidentuar me dhjetëra ndërtesa të cilat sa vinë e shtohen dhe i afrohen shinave. Të ndodhur para një fakti të tillë pritet që së shpejti të fillojë punën një Task-Forcë, e cila do të bëjë evidentimin në terren të ndërtesave të rrezikshme me qëllim ndërhyrjen për prishjen e tyre. "Vitin e kaluar e në vazhdim u bë një punë e mirë nga policia ndërtimore, pasi u prishën shumica e mbikalimeve të paligjshme që sillnin anomali në funksionimin e hekurudhës. Por problem shqetësues janë bërë një sërë ndërtimesh si lokale, banesa, dyqane apo dhe ndërtime të llojeve të tjera, që janë ngritur përgjatë linjës hekurudhore", u shpreh Trupa. Këto ndërtime janë jo vetëm të jashtëligjshme, por ato janë ndërtuar afër shinave. Problem shqetësues janë kryesisht ndërtimet në pjesën nga Shkodra drejt Malit të Zi dhe anasjelltas, ku lëvizin trenat e mallrave. Po sipas Trupës zonat e populluara po prishin normalitetin e linjës hekurudhore të rajonit të Shkodrës. "Tashmë ka ardhur koha që të shihen problemet e krijuara sidomos nga ndërtimet vetëm gjysmë metri larg shinave, të cilat normalisht e detyrojnë makinistin të ulë shpejtësinë", thekson Trupa. "I kam bërë shkresë Prefektit, Drejtorisë së Policisë, Policisë Ndërtimore, Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Transporteve që të ndërhyjnë në mënyrë emergjente. Gjithashtu të ndikojnë te njësitë vendore që të lejojnë ndërtimet vetëm në parametrat e përcaktuar në kodin hekurudhor".