Ministria: Gripi i zakoshëm më agresiv se ai i derrave
zirina llambro
Virusi i gripit të zakonshëm po shfaqet më agresiv se ai i gripit të derrave. Duke iu referuar situatës epidemiologjike në vend, këtë konkluzion ka nxjerrë Ministria e Shëndetësisë. Rastet e prekura nga gripi i zakonshëm kanë shfaqur komplikacione ndonëse specialistët kishin menduar se organizmi do të ishte i përgatitur për ta përballuar këtë virus stinor. "Nga të dhënat që kemi gripi i zakonshëm shoqërohet me komplikacione më të rënda se AH1N1", u shpreh Drejtori i Politikave dhe Planifikimit Shëndetesor në Ministri, Pëllumb Pipero. Sipas tij, qytetarët duhet të bëjnë vaksinën kundër gripit të zakonshëm dhe të evitojnë ambientet me shumë njerëz. Po dje është marrë konfirmimi edhe për 3 raste të reja me gripin e derrave, por për fat të mirë asnjë nuk është nga shkollat. Aktualisht numri i të prekurve shkon në 57. "Por ajo çka duam të theksojmë është se institucionet shëndetësore dhe ato arsimore nuk duhet ta shkëpusin për asnjë moment vëmendjen ndaj virusit pandemic AH1N1, duke mbajtur në monitorim të vazhdueshëm qendrat e grumbullimit publik përfshirë edhe shkollat", tha Pibero. Vetëm dy ditë më parë prania e gripit të derrave është konfirmuar në tre shkolla 2, prej të cilave në Tiranë dhe njëra në Klos. Sipas drejtorit të politikave të planifikimit shëndetësor, nga monstrat e analizuara dy ditë më parë në ISHP, përfshirë dhe ato të disa shkollave në Tiranë dhe rrethe të tjera, rezultojnë 11 raste me virusin A, ku përqindja më e madhe i takon virusit të influences stinore, ndërsa asnjë rast nuk konfirmohet të jetë nxënës". Ajo çka po bëhet aktualisht është monitorimi i mungesave të nxënësve në shkolla. Vihet re një shtim i tyre faktikisht dhe jemi në kontakt me mësuesit, në mënyrë që të raportohet në kohë dhe të merren masa kur është e nevojshme", theksojnë specialistët e Institutit të Shëndetit Publik. Sipas tyre larja e shpeshtë e duarve, ruajtja e një higjiene personale në nivele të larta, janë disa nga masat që duhet të marrë secili nxënës. Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria është ende larg epidemisë dhe nuk ndodhet në një situatë kritike.