Trajnime për mjekët në rajonin e Lombardisë
Bashkëpunim me rajonin e Lombardisë në shëndetësi. Thithje të investimeve në këtë sektor, kryesisht në trajnime për stafin e mjekëve apo binjakëzimin e strukturave spitalore. Këto ishin pikat kyçe që u diskutuan dje në takimin që zv.ministri i Shëndetësisë Bardh Spahia, realizoi me Avokatin Claudio Morpurgo dhe të Deleguarin për Çështjet Europiane të Guvernatorit të Regione Lombardia, Roberto Formigoni dhe delegacion përkatës. Morpurgo shprehu dëshirën për të rilanciuar marrëdhëniet mes Regione Lombardia dhe Shqipërisë duke thelluar bashkëpunimin në shëndetësi. Në këtë fushë ky rajon është lider jo vetëm në Itali por edhe në Evropë. Zv ministri Spahia i bëri një panoramë të detajuar të sistemit shëndetësor në vendin tonë dhe nënvizoi prioritetin e qeverisë në vazhdimin e reformave të mëtejshme në këtë sektor. "Kjo me synim përmirësimin e ofrimit të shërbimit shëndetësor ndaj qytetarëve shqiptarë", tha Spahia. Ai paraqiti gjithashtu problemet e ndryshme me të cilat po përballet shëndetësia shqiptare duke indikuar pikat në të cilat rajoni i Lombardisë mund të ofrojë mbështetje dhe asistencë për sistemin shëndetësor shqiptar. Spahia u kërkoi ndër të tjera përfaqësuesve të rajonit mbështetje në thithjen e investimeve Lombardë në Shqipëri dhe veçanërisht në fushën e shëndetësisë si dhe ndihmë në sigurimin e financimeve nga Komuniteti Europian për projekte dhe programe të ndryshme në këtë fushë. Në të njëjtën kohë u fol dhe për mundësitë e trajnimit dhe përgatitjen e mjekëve dhe personelit shëndetësor pranë strukturave mjekësore lomba-rde.Gjithashtu gjatë këtij takimi u diskutua për mundësinë e binjakëzimit mes strukturave spitalore shqiptare me ato Lombardise. Kërkesë tjetër e z. Spahia ishte rritja e numrit të pacientëve shqiptarë me patologji të rënda për trajtim në strukturat shëndetësore Lombarde.