E Diel, 1 Nëntor 2026

ISKSH, sanksione ndaj mjekëve dhe farmacive abuzuese

Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, pas kontrolleve të ushtruara në qendrat shëndetësore dhe subjektet farmaceutike në rajonin e Tiranës, ka marrë masa ndaj mjekëve dhe farmacive, ku janë konstatuar shkelje. Kontrollet janë ushtruar përgjatë dy muajve nga Drejtoria e Kontrollit të Jashtëm  të ISKSH-së, në rajonin e Tiranës, nisur nga pesha që zë ai, me mbi 35 % të të gjithë shpenzimeve, mbi zbatimin e kontratave me ofruesit e shërbimeve shëndetësore dhe farmaceutike. Drejtoria e Kontrollit të Jashtëm të ISKSH-së në total ka kontrolluar gjatë 2 muajve 13 qendra shëndetësore, me 52 mjekë të përgjithshëm dhe të familjes. "Në zbatim të kontratave në fuqi ndaj 26 mjekëve janë vendosur  gjoba në vlerën totale 86 000 lekë dhe masa zhdëmtimi ndaj 19 mjekëve të përgjithshëm të familjes në vlerën 195 749 lekë", tha Pjerin Kodraçari, drejtor i Kontrollit të Jashtëm në ISKSH. Ndërkohë, mbi zbatimin e kontratës me subjektet farmaceutike, në lidhje me qarkullimin e barnave me rimbursim, punonjësit e Drejtorisë së Kontrollit të Jashtëm kanë ushtruar kontrolle të befasishme në 59 subjekte. "Problem i evidentuar është ofrimi i shërbimit farmaceutik nga persona që nuk kanë nënshkruar kontratën me ISKSH-në, ku është vendosur masa me gjobë 10 000 lekë", u shpreh Kodraçari. Sipas tij, janë gjetur barna të listës së rimbursimit pa pullën e kontrollit të Ministrisë së Shëndetësisë, për të cilën janë ndërprerë kontrata me subjektin, si dhe i është propozuar Komisionit të Licencimit për heqje të licencës profesionale. Ndërsa, në ambientet e 3 farmacive janë gjetur libreza shëndeti të pacientëve pa qenë të pranishëm në farmaci, ku janë vendosur masa administrative ndaj subjekteve në vlerën totale 3 000 lekë. Në 10 farmaci u konstatuan sasi e konsiderueshme e faturave të furnizimit, pa regjistruar në dokumentacionin përkatës, sipas afateve të përcaktuara në kontratë, ku janë marrë masa administrative me gjobë në vlerën totale 149 000 lekë. Krahas kësaj, nga strukturat e ISKSH-së u organizuan dhe kontrolle të plota me inventarizim të barnave të listës së rimbursimit tek 15 subjekte farmaceutike, gjatë të cilave u konstatuan rimbursim i padrejtë për disa barna të listës, të pajustifikuar me dokumentacionet përkatëse, por dhe tregtim të barnave të listës pa recetë mjeku, në kundërshtim me kontratën dhe ligjin për qarkullimin e barnave.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›