MSH, së shpejti një qendër traumatologjie pranë QSUT
Ministria e Shëndetësisë po punon për ngritjen e një qendre të re traumatologjie, të vendosur pranë Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë. Sipas MSH, kjo qendër e re e specializuar për traumën do të funksionojë, krahas Qendrës Kombëtare të Traumës, të vendosur pranë Spitalit Ushtarak Qendror Universitar.
Qendra Kombëtare e Traumës, e vetmja deri tani në vend, do të vazhdojë të funksionojë pranë Spitalit Ushtarak, për shkak të pozicionit strategjik gjeografik, në kryqëzimin e rrugëve kryesore nacionale, që vijnë nga veriu dhe jugu i vendit. Ndërkohë, sipas MSH, ngritja e qendrës së re traumatologjie pranë QSUT- së parashikohet të ketë 30 shtretër të traumatologjisë. "Ajo do të vendoset në spitalin e ri që po ndërtohet, një kat i së cilës do ti përkasë kësaj qendre", bënë të ditur burime nga MSH. Në Qendrën Kombëtare të Traumës në Spitalin Ushtarak trajtohen të gjitha rastet urgjente me trauma të kombinuara.