ISKSH, shpërndarja e bonusit për mjekët rrit cilësinë e shërbimit
Shpërndarja e bonusit për mjekët që iu përshtaten kritereve të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë çon në rritjen e cilësisë së shërbimit në qendrat shëndetësore. Sipas ISKSH-së, fillimi i reformës në shërbimin shëndetësor parësor në janar të vitit të kaluar, e bëri personelin shëndetësor më të interesuar për rritjen e cilësisë së shërbimit, pasi edhe mënyra e shpërblimit të tyre ndryshoi. Qendrat shëndetësore tashmë marrin bonusin për aktivitet (10% të buxhetit) dhe bonusin tremujor (5% të buxhetit). Statistikat tregojnë se numri i vizitave që kryen një mjek familjeje gjatë një dite, është rritur ndjeshëm krahasuar me vitin 2006. Standardi i kërkuar është 12 vizita në ditë nga mjekët për të gjitha grupmoshat në qendrat shëndetësore për zonat urbane, 9 në zonat fushore e kodrinore, 6 në zonat malore te thellë dhe 10 për mjekë për fëmijë e specialistë të kontraktuar me ISKSH-në. Burime nga ISKSH-ja theksuan se rritja ka ardhur konstante nga aktiviteti i mjekëve në zonat urbane dhe rurale. Në nivel zonal janë kryer 5,9 vizita në 2006, 7,8 vizita në 2007 dhe 9,1 vizita në 2008. Numri mesatar ditor i vizitave për mjek, krahasuar me vitin 2006, u rrit me 32% në vitin 2007 dhe 54% në vitin 2008, ndërsa krahasuar me vitin 2007 në vitin 2008, ndërkohë ka një rritje me 17 pr qind.
Gjaku i pasigurt, alarmohen prindërit për fëmijët
Fëmijët e vegjël që shtrohen në Spitalin e Pediatrisë, përveçse duhet të kurohen, ata rrezikohen nga marrja e infeksioneve të ndryshme. Një ndër rrugët e marrjes së infeksioneve është edhe nga transfuzioni i gjakut, i cili shpeshherë ka rezultuar fatal për jetën e këtyre fëmijëve. Vetëm pak ditë më parë një fëmijë i vogël nga qyteti i Fierit është infektuar nga Hepatiti C, gjatë transfuzionit të gjakut. Ata që janë më të alarmuar janë prindërit, të cilët i drejtohen spitaleve për të kuruar fëmijët e tyre dhe ndërkohë, bëhen shkaktar të sëmundjes së tyre nga infeksione të pashërueshme. Ata shprehen se janë të irrituar nga pasiguria e jetës së fëmijëve në spitale, për më tepër që nuk dinë ku të drejtohen tjetër përveçse në spitale, pasi mundësitë për jashtë vendit janë tepër të pakta. Në këtë pavijon janë të shtruar fëmijë me hemofili, leucemi, talasemi etj. Mjekja pediatre, Mirela Xhafa u shpreh se rreziku i infektimit me Hepatit C për këta fëmijë është në këtë pavijon është 1 në 10 fëmijë. Për këtë arsye, mjekët u bëjnë apel prindërve që të dhurojnë vetë gjak për të afërmit e tyre.
8 Gusht 2008