Skema e re e stazhit per 1469 nxënës mbetes ne shkollat e mesme
Emanuela Sako
Stazhi nuk do të jetë më një rregullore vetëm për studentët që vazhdojnë një fakultet, por edhe për ata të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme. Rreth 1469 nxënës të shkollave të kryeqytetit rezultojnë mbetës për këtë vit mësimor, ndërsa nxënësve do t’iu duhet që të qëndrojnë një vit pushim dhe më pas do të rifillojnë shkollën. Nxënësit e vitit të parë të arsimit të mesëm të përgjithshëm dhe ata të klasave VIII në arsimin bazë, që janë mbetës, do të kalojnë në stazh për një vit. Burime zyrtare të Drejtorisë Arsimore Tiranë, sqarojnë se ata gjimnazistë të vitit të parë që këtë nuk arritën ta kalonin klasën, nuk mund t’u bashkohen moshatarëve të tyre vitin e ardhshëm shkollor, pasi nuk do të ketë vit të parë, por klasë të IX.
Shifrat
Numri i nxënësve mbetës mund të klasifikohet si tepër i lartë, i cili tregon nivelin e nxënësve në këto shkolla. Të dhënat e kësaj drejtorie tregojnë së mbetës janë rreth 427 nxënës të klasave të VIII dhe 1042 nxënës të viteve të para në Tiranë. Nga ndryshimet e publikuara nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, këta nxënës do të mund t’i japin vetëm provimet në të cilat kanë mbetur, në periudhën nga 10-25 prill të 2009-s. Më pas këta nxënës mund të fillojnë vitin shkollor vetëm në vitin 2009-2010, kur brezi i parë i sistemit 9-vjeçar që do të aplikohet, të hyjë në vitin e dytë të gjimnazit. Nxënësit që do të rezultojnë kalues në provimet e mbartura do të regjistrohen në klasën e X, që me strukturën e re të këtij viti shkollor do të jetë viti i parë i shkollës së mesme. Nxënësit, që sërish do të rezultojnë mbetës, mund të kalojnë për të kryer shkollën e mesme në sistemin e shkollave me kohë të shkurtuar. Ky ndryshim është bërë për shkak të ndryshimit strukturës së sistemit arsimor parauniversitar, ku sistemi 8-vjeçar bëhet 9-vjeçar dhe shkolla e mesme ka tre vite dhe jo katër.
Niveli
Shifrat që tregojnë numrin e mbetësve mund të konsiderohen të larta dhe që prekin ndjeshëm mënyrën e mësimdhënies dhe nivelin e nxënësve në këto shkolla. Duket se kjo rregullore e re e vendosur nga MASH-i do të bëjë që nxënësit të kenë një shtysë më shumë për të rritur angazhimin ndaj mësimeve ose do të shërbejë si një moment të përshtatshëm për të braktisur shkollën për ata që duan të mbarojnë vetëm shkollën e mesme. Ndërkohë që mund të përmendim se shifra të larta janë shënuar edhe për maturantët, të cilët dhanë provimet një muaj më parë. Por, maturantët kanë “dështuar” edhe në testimin e dijeve të tyre për dy provimet me zgjedhje, ku 5 mijë maturantë nuk u pranuan në universitet, pasi nota mesatare në shkallë vendi për këto provime ka qenë tepër e ulët 6.3. Fakt ky që ndryshe nga dy provimet me detyrim, nuk është krahasuar me rezultateve e viteve të mëparshme nga institucionet përkatëse. Rezultatet e provimeve me zgjedhje kanë përcaktuar edhe humbësit e parë të garës së madhe për të zënë një vend në auditorët e universiteteve, e cila po shkon drejt fundit. Sipas rezultateve të publikuara, 18 për qind ose mbi 5 mijë të rinj e kanë humbur të drejtën për të ndjekur studimet e larta këtë vit. Ndërkohë, më shumë shanse për t’u ulur në auditorët e universitete do të kenë maturantët që një njërën nga lëndët me zgjedhje janë testuar për gjuhët e huaja Anglisht dhe Frëngjisht. Në këto dy lëndë kalueshmëria edhe nota mesatare ka qenë më e lartë karshi lëndëve të tjera. Por përveç këtij fakti, Anglishtja është lënda që ka koeficientin më të lartë nga lëndët me zgjedhje 1.3 dhe që është koeficientuar njëlloj nga të gjitha fakultetet.
8 Gusht 2008